Sport

Kirui e Chelimo fitojnë të artat në maratonë

Keniani Geoffrey Kikorir Kirui ka arritur të ngadhënjejë në një garë dramatike me etiopianin Tamirat Tola në rrugët e Londrës për të fituar të dielën të artën në maratonë (vrapim 42 kilometra e 195 metra) në Botërorin e atletikës.

Kirui, fitues i maratonës së Bostonit në prill, arriti të shkëputet nga Tola tetë kilometra nga fundi, pasi deri në atë kohë ata ishin duke vrapuar krah për krah, transmeton “Koha Ditore”.

Pas 30 kilometrave, Tola, që ishte njeriu më i shpejtë për nga koha e arritur, bëri një tentim vendimtar dhe nisi të largohej nga Kirui, 24-vjeçar, por Kirui e zuri Tolan pas 3.2 kilometrave dhe mori epërsinë para se të shkëputej.

Kirui vrapoi aq fuqishëm, saqë nga fundi i garës ai pati edhe kohë të përshëndetej me tifozë para se të futej në finish.

“Ky është momenti më i mirë në karrierën time. Jam shumë i lumtur që kam fituar titullin e botës, pasi është hera ime e parë në Botëror. Ishte shtegu më i mirë ku kam vrapuar maratonën dhe pa dyshim edhe tifozët më të mirë”, ka thënë Kirui, përcjell Reuters.

Kirui përfundoi garën me kohë 2:08:27 orë, duke përfunduar një minutë e 22 sekonda para etiopianit Tola. Etiopiani Tola me shumë vështirësi mbajti pozitën e dytë, pasi Alphonce Simbu i Tanzanisë përfundoi furishëm dhe ishte vetëm dy sekonda larg tij. Simbu ka siguruar vetëm medaljen e dytë për Tanzaninë ndonjëherë në kampionate botërore. Britaniku Callum Hawkins u përkujdes për gëzimin më të madh të tifozërisë në Londër, pasi përfundoi i katërti me kohë 2:10:17 orë, që ishte rekord personal për të.

Keniani Kirui ka thënë se nuk ka pritur të fitonte, pasi Tola në maratonën e Dubait këtë vit kishte vrapuar në kohë 2:04:11 orë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.