Sport

Pas futbollit, Arabia Saudite promovon çiklizmin

Descriptive Text

Çiklizmi është “xhevahiri” më i ri në koleksionin e zgjeruar sportiv të Arabisë Saudite. Monarkia konservatore nga Lindja e Mesme dhe fqinjët e saj po investojnë jashtëzakonisht shumë në sport për ta ndriçuar imazhin e tyre ndërkombëtar.

Gara “Saudi Tour” këtë javë e zhvillon fazën e parë prej tri gjithsej. Gara çiklizmi janë planifikuar edhe në Oman dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Midis çiklistëve pjesëmarrës janë sprinteri holandez Dylan Groenewegen, fitues i pesë etapave në “Tour de France”, dhe veterani gjerman John Degenkolb.

Ngjarja po mbahet në një rajon të Arabisë Saudite veriperëndimore, me madhësinë e Belgjikës, që është shtëpia e vendeve arkeologjike dhe kanioneve të listuara në UNESCO. Por ka pak spektatorë.

Një lansim spektakolar i garës fundjavën e kaluar shfaqi një pamje të bukur me dron, ndërkohë që garuesit priten pas çdo etape, me podiume të ngritura në mes të shkretëtirës ose në majë të gurëve të ekspozuar. Mungesa e turmave të mëdha - vetëm disa dhjetëra tifozë u mblodhën në vijën e finishit të fazës së parë - u ofron garuesve një atmosferë më të relaksuar, me disa në gjendje të pinë kafe pak para fillimit. Një shteg kërkues teston qëndrueshmërinë e skuadrave ndërsa çiklistët përballen me erëra të forta, stuhi rëre dhe kërcënimin e deveve dhe gomarëve që kalojnë rrugën.

Ngarja në Al-Ula i shtohet Arabisë Saudite dhe fqinjëve të saj rajonalë në përpjekjet për të rritur ndikimin përmes sportit. Kjo ka përfshirë edhe transferimin e Cristiano Ronaldos tek Al-Nassr, si dhe investimet te Newcastle Unitedi.

Të mërkurën, Arabia Saudite u zgjodh të presë Kupën Aziatike të futbollit 2027, duke i shtuar një portofol të ngjarjeve të mëdha përfshirë Lojërat Dimërore Aziatike 2029 - që do të mbahen në borë artificiale - dhe Lojërat Aziatike 2034. Sipas raportimeve të mediave, mbretëria është përpjekur të marrë pronësinë e Formula 1. Çiklizmi nuk bën përjashtim nga trendi.

Përveç garave të këtij muaji, tre nga 18 ekipet e “UCI World Tour” kanë një vend të Lindjes së Mesme si sponsor kryesor.

“Qëllimi i kësaj gare është që kryeqytetin e Arabisë Saudite ta bëjmë qendër të çiklizmit”, tha Phillip Jones, organizatori i garës.

Autoritetet synojnë të nxisin turizmin luksoz në Al-Ula si pjesë e projektit të zhvillimit kombëtar "Vizioni 2030", i nisur nga Princi Mohammed bin Salman. Përfituesit e hershëm janë garuesit, të vendosur në vila luksoze që kushtojnë 1000 euro për një natë, me shpenzimet e hequra nga vendi pritës. Rajoni i thatë dhe me pak popullsi mund të ofrojë qëndrime për çiklistët gjatë sezonit tetor-mars përpara vapës së verës, tha Jones. Gara ka ngjallur kritika nga aktivistët e të drejtave të njeriut, ndërsa shumat astronomike të parave të shpenzuara për këtë ngjarje kanë krijuar gjithashtu tensione mes komunitetit të çiklizmit.

Vincent Lavenu, menaxher i përgjithshëm i ekipit francez AG2R-Citroën, tha se burime të tjera ishin të nevojshme për të kënaqur nevojat e investimeve të çiklizmit botëror nga Arabia Saudite. Mirëpo, çiklistët kanë qenë më diplomatikë.

“Ne jemi pjesë e një sistemi dhe refuzimi i ofertave nuk është i thjeshtë. Çiklistët përfitojnë, por mendoj se edhe rajoni këtu përfiton”, tha gjermani Degenkolb.

Konkurrentët vlerësuan gjithashtu përvojën e qetë të garave në një shkretëtirë të largët krahasuar me intensitetin e turneve evropian.

“Nuk është një festë, por është një përvojë interesante”, tha austriaku Felix Grosschartner, i cili mendon se organizimi i ngjarjeve të tilla një ose dy herë në sezon do të ishte një ide e shkëlqyer.