Sport

Drita jep shumë vërejtje për Draftstatutin e FFK-së, vlerëson se procesi ka shkelje serioze

Descriptive Text

Përmes një komunikate të lëshuar të martën mbrëma, Drita e Gjilanit ka paraqitur vërejtje të shumta në Draft Statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës, për të cilin do të votohet në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, të premten. Komunikata është e aksionarëve të klubit gjilanas, Valon Murseli e Flamur Bunjaku.

Drita, që ka shumë vjet që është prej klubeve më stabile të futbollit në vend, ka vlerësuar se i gjithë procesi ka shkelje serioze të procedurave statutare dhe ligjore. Drita u ka bërë thirrje delegatëve të FFK-së që të jenë të vetëdijshëm se çka do të votojnë.

Federata e Futbollit të Kosovës nuk po mund të pajiset me licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Për pajisje me licencë i duhet të bëjë ndryshime në statut dhe për këtë arsye, është thirrur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Punës.

Sipas Dritës, disa nga shkeljet e evidentuara në Statutin e propozuar, janë për shqetësim. Klubi gjilanas ka shkruar se “nuk ka vendim për themelimin e komisionit për hartimin e Draftstatutit, konform Ligjit të Sportit”, se “vendimi nuk është i publikuar në faqen e FFK-së” dhe se “delegatët nuk janë njoftuar për themelimin dhe përbërjen e këtij komisioni”.

Drita pretendon se Draftstatuti është në kundërshtim të plotë me Statutin aktual dhe se ai nuk është dorëzuar me kohë te delegatët për shqyrtim.

“Ky Draft Statut nuk i përmbush kriteret e kërkuara nga MKRS-ja. Përkundrazi vetëm sa thellon edhe më shumë shkeljet ligjore, mospërmbushjet e rekomandimeve të kërkuara nga MKRS-ja”, ka shkruar Drita, që më pas ka rreshtuar edhe nëntë vërejtje të tjera në dokumentin e propozuar nga FFK-ja.

Sipas komunikatës, ka kundërthënie mes neneve; nuk është përfshirë përfaqësimi i lojtarëve në Kuvend; dokumenti bie ndesh me parimet juridike për kuorum; Draftstatuti pamundëson emrat e lavdishëm të futbollit të kandidojnë për pozita në FFK nëse nuk janë të angazhuar në federatë në pesë vjetët e fundit; është në kundërshtim me Statutin e UEFA-s dhe FIFA-s; është në kundërshtim me rekomandimet e MKRS-së...

“Të nderuar sportdashës, juristët e angazhuar nga FC Drita kanë përgatitur propozim amendamentet në Draft Statutin e FFK-së, por federata ka pamundësuar afatet statutare për të dorëzuar këto amendamente. Ftojmë të gjitha klubet që të konsultohen me juristë dhe të japin vërejtjet e tyre rreth Draftstatutit dhe të respektojmë çdo rekomandim të MKRS-së”, shkruan në komunikatën e Dritës.

KOHA i është drejtuar FFK-së me kërkesë për të komentuar vërejtjet e shumta të paraqitura në komunikatën e klubit gjilanas.

Vërejtje të shumta për dokumentin e propozuar ka paraqitur edhe Eroll Salihu, ish-sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës.