Sport

Koeman zotohet për futboll sulmues pas kthimit në krye të Holandës

Ronald Koeman

Ronald Koeman u zotua të hënën se do ta kthejë Holandën te loja tërheqëse dhe sulmuese, teksa filloi periudhën e dytë në krye të ekipit që u eliminua në çerekfinale të kupës së botës “Katari 2022” nga fituesja e mëvonshme Argjentina.

59-vjeçari Koeman tha se dëshironte një kthim në lojën pozitive të periudhës së tij të parë si trajner i Holandës (2018-2020), kur udhëhoqi një ekip të ri të talentuar drejt kualifikimit për në Kampionatin Evropian dhe finalen inauguruese të Ligës së Kombeve. Ai shikoi prapa jo vetëm për ato arritje, “por mënyrën se si ne e bëmë atë”.

“Ne vërtet duam t'i kthehemi asaj loje”, insistoi Koeman.

Komentet e tij erdhën pasi disa prej mediave sportive holandeze ishin kritike ndaj paraardhësit të Koemanit, Louis van Gaal, për atë që e perceptuan si një stil mbrojtës të lojës në Kupën e Botës.

“Pashë momente në ndeshje kur mendova, ‘Kjo mund të jetë ndryshe, kjo duhet të jetë ndryshe’”, tha Koeman për përvojën e tij duke parë Holandën në Katar. “Në Holandë ne përpiqemi të luajmë, dhe kjo është shpesh rruga më e vështirë, futboll të mirë, tërheqës, sulmues”.

Duke iu referuar ecurisë mbresëlënëse të Van Gaalit deri në çerekfinalet e Kupës së Botës, Koeman tha: “20 ndeshje ndërkombëtare pa humbje? Do të ishte e pabesueshme nëse e arrij edhe unë këtë”.

Ai shtoi se këtë mund ta bëjë dhe dëshiron ta bëjë ndryshe.

Koeman në periudhën e parë si trajner i Përfaqësueses së Holandës erdhi në një moment të vështirë. Ai mori përfaqësuesen pas dështimit për kualifikim në Kampionatin Evropian 2016 dhe në Kupën e Botës 2018. Ai e udhëhoqi skuadrën drejt pozitës së dytë në Ligën e Kombeve, saktësisht edicionin përurues të kësaj gare dhe ishte caktuar ta drejtonte ekipin në Kampionatin Evropian 2020, përpara se ngjarja të shtyhej për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por kur puna e tij e ëndrrave – trajner i Barcelonës – u shfaq pasi Quique Setien u shkarkua, Koeman u largua nga Holanda dhe u kthye në klubin ku bëri emër si një mbrojtës i pakompromis, dhe vendin ku jeton ende.

Koeman qëndroi më pak se dy sezone në Barcelonë përpara se të largohej pasi klubi kishte vështirësi në ligën spanjolle dhe Ligën e Kampionëve. Tani ai thotë se ka diçka për të dëshmuar në qëndrimin e dytë te Holanda.

“Më duhet të tregoj se mund të jem një trajner i suksesshëm, që mund të kem suksese në një turne të madh”, tha ai. “Hapi i parë janë kualifikimet për Kampionatin Evropian që fillojnë në muajin mars”.

Ndeshja e parë e Koemanit në rundin kualifikues është e vështirë. Holanda luan më 24 mars në Paris, me finalisten e Kupës së Botës, Francën. Në grupin kualifikues të Holandës janë edhe Irlanda, Greqia dhe Gjibraltari.

“Kemi kundërshtarë të vështirë, por unë besoj se mund t’ia dalim dhe vitin e ardhshëm të paraqitemi në Kampionatin Evropian. Ky është synimi im i parë dhe pastaj mund të flasim për synimet e tjera që i kam në kthimin tim te Holanda”, insistoi Koeman.