Sport

Kapitenët drejt titujve të kampionit në top-ligat evropiane

Amir Rrahmani e Granit Xhaka kanë disa të përbashkëta aktualisht. Janë kapitenë në ekipet përfaqësuese, po kalojnë momentet më të mira në karrierë dhe, për më tepër, po ecin sigurt drejt titullit të kampionit në ligat më të mëdha evropiane.

Mbrojtësi i qendrës, Rrahmani, është i rregullt në formacionin bazë të Napolit. Po shfaq sigurinë e duhur te Napoli që udhëheq në tabelën e Serie A me 50 pikë nga 19 ndeshje. Milani është i dyti me 38 pikë nga 18 ndeshje. Ndonëse është luajtur vetëm gjysma e kampionatit, Napoli ka bërë shkëputje solide. Dhe po shfaq formën që mund ta dërgojë te titulli i pritur gjatë.

Napoli ka dy tituj të kampionit në Serie A. Të parin e fitoi në vitin 1987 e të dytin në vitin 1990. Napoli të shtunën fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Salernitanas. Si zakonisht 28-vjeçari Rrahmani e kompletoi ndeshjen në qendër të mbrojtjes.

Rrahmani ka munguar rreth një muaj, përkatësisht në gjashtë ndeshje, për shkak të një dëmtimi. Mungoi në gjysmën e dytë të tetorit dhe në gjysmën e parë të nëntorit. Por është kthyer titullar dhe po vazhdon të kompletojë ndeshjen. Në fitoren 5:1 ndaj Juventusit, Rrahmani shënoi një gol.

Rrahmani ka dy tituj të kampionit të Kroacisë dhe një kupë të Kroacisë me Dinamon. Por po e kërkon titullin e parë në njërën prej pesë ligave më të forta evropiane.

Edhe Granit Xhaka ka trofe, por jo titull të kampionit në ligat e mëdha. Xhaka është kapiten i Zvicrës, ndërsa po shkëlqen tek Arsenali këtë edicion. Arsenali në vitin 2004 e ka fituar titullin e fundit në Premier League. Dhe po marshon sigurt drejt titullit të ri.

Të dielën e fitoi 3:2 derbin e xhiros së 21-të ndaj Manchester Unitedit. Xhaka e pati një tjetër ndeshje të madhe.

Arsenali udhëheq me 50 pikë nga 19 ndeshje. Manchester City është i dyti me 45 pikë nga 20 ndeshje. Newcastle Unitedi e Manchester Unitedi kanë mbetur më prapa.

Paraqitjet e Arsenalit po vlerësohen lart. Ndërkohë, vlerësimet se skuadra londineze mund ta fitojë titullin po rriten dita-ditës. Natyrisht, është ende herët dhe një periudhë e keqe mund të ndryshojë rrjedhën e kampionatit. Megjithatë, momentalisht Arsenali po vlerësohet favorit për titull të kampionit.

Meritat e Xhakës për formën e Arsenalit janë të mëdha. Ai ka kthyer besimin e tifozëve dhe është lider i skuadrës. Po luan në pozitë më të avancuar, ndërsa kontributi nuk i mungon.

Me Arsenalin, Xhaka i ka dy Kupa FA dhe dy Superkupa. Ka edhe dy tituj të kampionit të Zvicrës dhe një Kupë të Zvicrës. Asnjë prej këtyre sukseseve nuk mund të krahasohet me titullin eventual të Premier Leagues.

Xhaka ka tre gola e pesë asistime këtë edicion në 19 paraqitje. Asistimin e fundit e bëri të dielën në derbin e madh.

“Topi nga Xhaka ishte thjeshtë i shkëlqyer”, ka komentuar për asistimin e Xhakës, legjenda e futbollit anglez, Gary Neville.