Sport

Karriera e veçantë e garueses së parë të Kosovës në kërcime me ski

Garuesja austriake në kërcime me ski, Sophie Sorschag, të enjten u pajtua që të garojë për Kosovën tash e tutje. Dhe vendimi i saj është vlerësuar sensacional nga uebfaqja e specializuar për aktivitetet e kërcimeve me ski, “skispringen.com”.

Sorschag ishte pjesë e ekipit të Austrisë që në vitin 2021 fitoi titullin e botës në konkurrencë ekipore. Vjet ishte në Lojërat Olimpike në Pekin, por u diskualifikua. Ndërkohë pësoi lëndim serioz e po ashtu u largua nga përfaqësuesja austriake. Kishte kontradikta për largimin e saj nga përfaqësuesja austriake, ndërsa disa vende ishin destinacion i saj i mundshëm. Në fund Sorschag vendosi për Kosovën.

Kërcimet me ski nuk janë fare të zhvilluara në Kosovë. Rrjedhimisht Sorschag është garuesja e parë e Kosovës në këtë disiplinë atraktive të sporteve dimërore. Kosova nuk ka as garues në kërcime me ski, ndërsa në vend nuk organizohen fare gara në këtë disiplinë. Në fakt garat e kërcimeve me ski nuk është se zhvillohen në shumë vende.

Në Federatën e Skijimit të Kosovës dhe në Komitetin Olimpik të Kosovës e vlerësojnë shumë lartë ardhjen e Sorchagut. Prej saj presin medalje nga ngjarjet e mëdha.

“Skispringen.com” ka shkruar se garuesja e re e Kosovës ishte figurë tragjike në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit të kaluar. Ajo ishte diskualifikuar pasi stikerat e sponsorit nuk ishin vendosur në përputhje me rregullat.

Në mars të vitit 2022, austriakja Sorschag kishte këputur ligamentet gjatë një rrëzimi në stërvitje. Po ashtu kishte pësuar lëndim të meniskut. Prej atëherë nuk ka garuar më. Fillimisht duhet që garuesja austriake të pajiset me pasaportë të Kosovës, ndërsa kjo procedurë pritet të përfundojë për rreth një muaj. Por duhet të pritet më gjatë që Sorschag të garojë për Kosovën.

Që në tetor të vitit të kaluar kishte raportime se Sorschag do të ndërronte vend. Estonia ishte një prej opsioneve. Bullgaria e Suedia ishin përmendur si destinacione të mundshme.

“Për fat të keq në Austri dyert janë mbyllur. Më 27 prill më përjashtuan nga federata krejtësisht papritur. Për shkak të kësaj dhe për faktin se dua të vazhdoj me sportin tim të dashur, më është dashur të aplikoj për ndryshim të nacionalitetit”, kishte thënë 24-vjeçarja vitin e kaluar.

Por federata austriake kishte kundërshtuar versioin e Sorschagut. Drejtori sportiv, Mario Strecher, kishte thënë se kanë dashur ta mbajnë garuesen. Por Sorschag, sipas tij, vet kishte kërkuar të ndërronte përfaqësuesen.

KOHA ka mësuar se Sorschag nuk ka pasur shumë kërkesa për federatën kosovare të skijimit. Ajo pritet që t’i mbulojë vet përgatitjet, që nuk janë të lira. Aktualisht garuesja e re e Kosovës po punon me trajnerin e njohur slloven, Jure Radelj. Ai ka ndihmuar që Sorschag të kalojë te Kosova.

Sorschag vlerësohet me potencial për suksese në gara të rëndësishme. Tri herë ka zënë vend në Top-10 në gara të Kupës së Botës. Vendi i shtatë ishte plasmani më i mirë.

Sorschag nuk do të garojë për Kosovën në këtë stinor. Do të mungoj edhe në Kampionatit Botëror të Skijimit Nordik. Rregulloret e Federatës Ndërkombëtare nuk lejojnë që ajo të garojë menjëherë.

“Secili ndryshim i shtetit duhet të raportohet te ne deri në fund të majit. Në të kundërtën sezoni që vjen duhet të suspendohet. Personi duhet ta ketë pasur shtetësinë e vendit ku kalon gjashtë muaj më herët”, kishte thënë më herët Michel Vion, sekretar i FIS-it.

Sorschag pritet të fillojë me gara për Kosovën nga vjeshta apo dimri i ardhshëm. Dhe me shumë mundësi edhe me vende në podium apo në top-dhjetëshe.