Sport

Organi “ligjvënës” i futbollit merr kërkesën për zëvendësimet e përkohshme

Një kërkesë nga Premier League e Anglisë dhe Major League Soccer e SHBA-së për të përdorur zëvendësues të përkohshëm për lojtarët që përplasen mes vete dhe që dyshohet se mund të kenë tronditje, do të shqyrtohet në takimin e së mërkurës të organit ligjvënës të futbollit, IFAB.

Këtyre ligave u është bashkuar edhe Ligue 1 e Francës me kërkesën për një protokoll më fleksibil për dëmtimet në kokë, duke filluar nga edicioni i ardhshëm. Provat për dëmtimet nga përplasjet u refuzuan qershorin e kaluar nga IFAB-i.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe IFAB-i kanë mbështetur propozimin që ekipet të bëjnë një zëvendësim shtesë të përhershëm, për lojtarët me tronditje të mundshme.

Kjo politikë bëri që në Kupën e Botës “Katari 2022”, portieri i Iranit, Ali Beiranvand, të vazhdonte të luante pas disa minutash trajtimi, pas një përplasjeje me kokë me njërin prej bashkëlojtarëve të tij, në humbjen 6:2 nga Anglia. Beiranvand shpejt kërkoi që të zëvendësohej dhe u transportua jashtë fushës me barelë.

Ligat dhe sindikata globale e futbollistëve FIFPRO besojnë se zëvendësimet e përkohshme janë një përgjigje e shpejtë ndaj një dëmtimi në kokë, duke i dhënë kohë stafit mjekësor për të bërë një vlerësim të plotë pa presionin e vazhdimit të lojës, ndërsa ekipit i mungon një lojtar.

Mendësia aktuale, “nëse keni dyshime, hiqni ato” për trajtimin e lojtarëve me lëndime në kokë nuk funksionon, tha sekretari i përgjithshëm i FIFPRO, Jonas Baer-Hoffmann.

“Ne nuk po marrim gjithmonë një vendim të kujdesshëm”, shtoi ai.

FIFPRO ka lobuar në IFAB për këtë çështje, duke thënë se “kushtet për një ekzaminim të plotë dhe të duhur pengohen nga rregullat tradicionale sportive”.

Sindikata ka sugjeruar se duhen deri në 10 minuta që lojtarët të vlerësohen siç duhet në afërsi të fushës. Një zëvendësues i përkohshëm do të bëhet më pas i përhershëm nëse lojtari i lënduar nuk mund të vazhdojë ndeshjen për shkak të tronditjes.

Baer-Hoffmann tha se organet e futbollit në Angli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po udhëheqin në këtë çështje me debate dhe kërkime mbi tronditjen dhe lëndimet e kokës në sport.

Takimi në “Wembley Stadium” në Londër të mërkurën duhet të përcaktojë agjendën formale për mbledhjen vjetore të vendimmarrjes së IFAB-it, e cila do të mbahet më 4 mars. Të dyja takimet do të mbahen në selinë e Federatës së Futbollit të Anglisë.

FIFA ka katër nga tetë votat e IFAB-it, kurse nga një votë është për shoqatat angleze, irlandezo-veriore, skoceze dhe uellsiane të futbollit. Gjashtë nga tetë votat nevojiten për të miratuar çdo ndryshim në ligjet e lojës së futbollit, të cilat nuk mund të kalojnë nëse FIFA kundërshton.