Sport

Presidenti i UEFA-s flet në Beograd për ligën regjionale

Një ligë regjionale në futboll ka shumë vjet që diskutohet, kohë pas kohe. Për një ligë të përbashkët të klubeve më të mëdha nga vendet e Ballkanit të premten ka folur edhe presidenti i UEFA-s, slloveni Aleksandar Çeferin.

Udhëheqësi i shtëpisë evropiane të futbollit, Çeferin, ka qëndruar të premten për vizitë në Beograd dhe ndër të tjera ka përmendur edhe ligën regjionale.

Ideja për një ligë regjionale është goxha e vjetër. Shumë herë është vlerësuar se përmes saj futbolli në regjion do të zhvillohej më shumë, ndërsa klubet do të ishin më konkurrente në kupat evropiane.

Në fakt Kosova në fare pak raste është përmendur si pjesë e ideve dhe projekteve për ligë regjionale. Në projektet ku është Serbia, zakonisht nuk bën pjesë Kosova dhe e kundërta.

Por liga regjionale në futboll vazhdon të jetë ide, kurse realizimi i saj i pamundur apo shumë i largët.

Zakonisht në diskutimet për ligë regjionale përmenden klubet e mëdha nga ish-Jugosllavia.

“Nuk e përjashtoj mundësinë e formimit të ligës regjionale. Megjithatë, momentalisht është shumë e rrezikshme të organizohet një ligë e tillë në kuadër të regjionit tonë apo shtetit të dikurshëm”, ka thënë Çeferin në Beograd.

Në sporte të tjera ka liga regjionale. Më e organizuara vlerësohet ABA Liga në basketboll. Pjesë e saj janë klubet më të mira nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia e Maqedonia e Veriut. Por jo edhe klubet kosovare. Përpjekjet e Kosovës për të hyrë në këtë ligë janë ndalur menjëherë për shkak të ndikimit të madh të serbëve. Edhe në sportet e tjera ka liga të tilla, për shembull në hendboll, por pa Kosovën pjesë të tyre.

Në basketboll klubet kosovare janë pjesë e Ligës Ballkanike, që është ligë dukshëm më e dobët se ABA Liga. Në këtë ligë nuk ka klube nga Serbia. Po ashtu Prishtina po luan në ligën ENBL, ndërsa një ekip serb hoqi dorë prej saj pikërisht për shkak të Prishtinës.

Është vështirë e realizueshme që klubet e futbollit nga Kosova dhe Serbia të jenë pjesë e një lige regjionale. Është thuajse e pamundur që UEFA ta lejonte këtë po ashtu.

Konfederata Evropiane e Futbollit nuk lejon përballjet e përfaqësueseve dhe klubeve të Kosovës me përfaqësueset dhe klubet e Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Rusisë. Ky vendim u mor për të shmangur tensionet.