Sport

Shaqiri e Xhaka në Serbi, deklarohet Federata zvicerane

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë dërguar dy herë Serbinë në shtëpi nga Botërori i futbollit.

Në “Rusia 2018” e “Katari 2022” ishin pre e fyerjeve të huliganëve serbë, por janë përgjigjur në mënyrën më të mirë – me sukses në fushën e lojës.

Dhe historia e dy yjeve shqiptarë të Zvicrës me Serbinë do të ketë kapitull tjetër, me shumë mundësi.

Zvicra do të luaj në territorin e Serbisë ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024. Më 25 mars të këtij viti nga ora 18:00 në stadiumin “Karagjorgje” në Novi Sad është caktuar ndeshja Bjellorusia – Zvicra.

Bjellorusia ka vendosur që ndeshjen ta organizojë në Serbi, ndërsa UEFA ka pranuar këtë, me gjithë provokimet e rënda të serbëve ndaj dy lojtarëve kryesorë të Zvicrës.

Lidhur me ndeshjen në Novi Sad, deri të hënën nuk ishte deklaruar Federata e Futbollit e Zvicrës, ndonëse njoftimi se ku luhet ndeshja ishte dhënë muajin e kaluar.

Federata zvicerane ka njoftuar se nuk ishte pyetur nga UEFA lidhur me zhvillimin e ndeshjes në territorin e Serbisë. Por ka lënë të kuptohet se nuk e kundërshton vendimin.

“Ne e kemi marrë parasysh vendimin e UEFA-s. Ne nuk ishim të përfshirë nga UEFA në zhvillimet para vendimit. Për momentin nuk ka asgjë më shumë për të thënë nga ana jonë”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KOHËN të Federatës së Futbollit të Zvicrës.

Përgjigjen e ka dhënë Adrian Arnold, shef i komunikimit në Federatën zvicerane Për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës, UEFA e ka dënuar Bjellorusinë që ndeshjet si vendase t’i luaj në vend neutral dhe pa praninë e shikuesve.

Bjellorusët qartë se e kanë ditur qëndrimin e serbëve ndaj shqiptarëve të Zvicrës kur morën vendimin që ndeshjen të organizojnë në Serbi.

Por media nga vende të ndryshme, sidomos nga Kroacia, e kanë vlerësuar të paarsyeshëm vendimin që ndeshja të luhet në Serbi. Madje kanë sulmuar UEFA-n, si organizatore e garave, për këtë.

Me shumë mundësi Xhaka e Shaqiri do të jenë në ekipin e Zvicrës për fillimin e kualifikimeve, pos nëse federata zvicerane vendos ndryshe.

Nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë shqiptar tjetër të ftohet nga Zvicra, para së gjithash Ardon Jashari.

Treshja Shaqiri – Xhaka – Jashari ka çmendur serbët në Katar.

Federata e Futbollit të Bjellorusisë ende nuk është deklaruar lidhur me ndeshjen me Zvicrën dhe zhvillimin e saj në Novi Sad. Në grup me Zvicrën e Bjellorusinë është edhe Kosova.

Por bjellorusët ende nuk kanë vendosur se ku do ta organizojnë ndeshjen e 19 qershorit. Ajo natyrisht nuk do të luhet në territorin e Serbisë.