Sport

Vazhdon Superliga e basketbollit, derbi i Prizrenit luhet në Suharekë

Descriptive Text

Derbi i qytetit të Prizrenit në basketboll këtë fundjavë do të zhvillohet në Suharekë. Bashkimi dhe Ponte Prizreni ka kohë që janë bartur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, si për stërvitje, ashtu edhe për ndeshjet si vendas. Kjo është bërë për shkak se palestra “Sezai Surroi” në Prizren është në renovim dhe ende nuk dihet se kur do të jetë gati për shfrytëzim.

Kjo është hera e parë këtë edicion që dy ekipet nga Prizreni do të përballen në “shtëpinë” e tyre të dytë. Bashkimi është vendas në ndeshjen që zhvillohet të shtunën prej orës 19:00 dhe i takon xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Superliga e basketbollit është e para që fillon garën në vitin 2023.

Në duelet e para të këtij edicioni të dy ekipet prizrenase e kanë nga një fitore. Për derbin e së shtunës të dyja ekipet janë të motivuara maksimalisht për triumf. Po ashtu, nuk janë larg njëra-tjetrës në tabelë. Bashkimi është i gjashtë me 22 pikë, një më shumë se Ponte Prizreni që renditet i shtati. Bashkimi është në seri pozitive dhe për herë të parë këtë edicion po e kërkon fitoren e tretë rresht.

Kështu ka insistuar basketbollisti i Bashkimit, Altin Morina. Ai të premten tha se motivi në ekip është rritur dukshëm pas fitoreve ndaj Vëllaznimit e Trepçës. Morina thotë se Bashkimi dëshiron ta fillojë vitin me fitore.

“Dueli me Ponten dallon për shkak të rivalitet të madh pasi është edhe derbi lokal. Kjo na bën që të japim më të mirën nga vetja për ta fituar ndeshjen. Mendoj se ekipi është kthyer fuqishëm me dy fitoret e fundit dhe tani ka më shumë energji pas pushimit të shkurtër dhe është gati për të rifilluar. Synimi është që vitin e ri ta rifillojmë ashtu siç e mbyllën të vjetrin, me fitore. Pra, duam të vazhdojmë serinë e fitoreve”, është shprehur Morina.

Pas mungesave që i pati në ndeshjet e fundit, Bashkimi do të jetë i kompletuar për duelin me Ponte Prizrenin. Fahro Alihoxhiq dhe Morina janë rikuperuar nga lëndimit.

I kompletuar pritet të jetë edhe Prizreni, i cili gjatë pushimit prej 10 ditëve ka shtuar në ekip dy lojtarë të rinj. Fundori Adam Grant dhe krah-qendra Alan Wiggins do të debutojnë me fanellën e Ponte Prizrenit në derbin ndaj Bashkimit. Tani në krye të Ponte Prizrenit është Edin Kërveshi, i cili këtë edicion ishte ndihmëstrajner i Bashkimit dhe po ashtu në disa ndeshje e pati rolin e trajnerit.

“Jemi përgatitur maksimalisht për duelin ndaj Bashkimit dhe mendoj se jemi gati për të rifilluar sezonin. E njohim kundërshtarin pasi kemi luajtur dy herë ndaj tij dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Po ashtu jemi forcuar edhe me dy lojtarë dhe kemi thellësi më të madhe në ekip. Kemi punuar mirë dhe sigurisht se synojmë fitoren”, ka thënë Meriton Ismaili i Pontes.

Kjo xhiro nis me ndeshjen mes Rahovecit dhe Trepçës, që zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Mizahir Isma”. Rahoveci është i fundit në tabelë dhe po lufton për t’i ikur rënies, ndërsa Trepça po synon të kthehet te fitorja pas humbjes së thellë që e pësoi në shtëpi nga Bashkimi.

Te Rahoveci në këtë ndeshje do të debutojë trajneri nga Irlanda, Daniel Nelson.

Edhe të dielën do të zhvillohen dy ndeshje. Në orën 17:00 është derbi që luhet në palestrën “Karagaçi” mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit. Peja është lidere me 27 pikë, tri më shumë se Ylli, që është në seri prej dhjetë fitoreve.

Ndërkohë, përballja e fundit e kësaj xhiroje do të jetë ajo mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit, prej orës 19:00. Në krye të Prishtinës do të debutojë trajneri Ahmet Kandemir, i cili u zyrtarizua të premten. Për Kandemirin, kjo është hera e tretë në krye të ekipit prishtinas.

Superliga – 17

E shtunë

Rahoveci – Trepça (17:00)

Bashkimi – P. Prizreni (19:00)

E diel

Peja – G.E. Ylli (17:00)

S. Prishtina – Vëllaznimi (19:00)

1. Peja 15 27

2. S. Prishtina 15 25

3. G.E. Ylli 14 24

4. Trepça 16 24

5. Vëllaznimi 16 23

6. Bashkimi 16 22

7. P. Prizreni 16 21

8. Rahoveci 15 17