Sport

Çeferini në krye të UEFA-s edhe për mandatin e tretë

Aleksander Çeferin është i vetmi kandidat për mandatin e tretë si president i UEFA-s, ka thënë trupi qeverisës i futbollit evropian të premten.

Avokati 55-vjeçar nga Sllovenia, i cili është përballur me shumë kritika së fundmi, do të rizgjidhet president në kongresin e UEFA-s që do të mbahet në muajin prill në Lisbonë.

Shumë klube të mëdha evropiane ishin munduar të krijonin Superligën Evropiane, por një gjë të tillë nuk e kishte lejuar i pari i UEFA-s.

Çeferini u zgjodh kryetar i UEFA-s në vitin 2016 për herë të parë.

Ai kishte zëvendësuar në këtë post legjendën e futbollit francez, Michel Platini, i cili ishte dënuar në vitin 2015 për thyerje të rregullave të etikës dhe u detyrua të jepte dorëheqje.

Që prej ardhjes në krye të UEFA-s, Çeferini ka dalë haptazi edhe kundër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, sidomos për idenë që Kupa e Botës të mbahet çdo dy vjet.