Sport

Karriera e ndritur e Cristianos në çdo klub të Evropës

Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, i ka dhënë fund karrierës së shkëlqyer si futbollist në Evropë, ku ka fituar të gjitha çmimet dhe trofetë me skuadrat e mëdha. 37-vjeçari tani ka nisur një epokë të re pasi ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në Arabinë Saudite. Ai ka firmosur me ekipin Al-Nassr dhe ka premtuar se në vendin e Lindjes së Mesme do të vendosë rekorde të reja pas sukseseve të jashtëzakonshme në Evropë. Megjithatë, para se Ronaldo ta nisë karrierën e tij zyrtarisht tek Al-Nassr, po e bëjmë një vështrim të karrierës fantastike të portugezit që e pati në Evropë:

Sporting (2002-03)

Në moshën 12-vjeçare, Ronaldo u largua nga ishulli Madeira dhe u nis për në Lisbonë për një provë te Sportingu. Ai iu bashkua akademisë së klubit dhe në moshën 16-vjeçare po stërvitej me ekipin e parë. Ronaldo, një anësor i dobët dhe i zoti, bëri debutimin e tij me ekipin e parë në moshën 17-vjeçare dhe tashmë kishte tërhequr interesimin e klubeve të mëdha evropiane gjatë sezonit të tij të vetëm të plotë në Sporting (2002-03), kur shënoi pesë gola dhe pati pesë asistime. Para fillimit të sezonit të ardhshëm, Manchester Unitedi vizitoi Sportingun për një ndeshje për inaugurimin e stadiumit të ekipit portugez. Performanca e Ronaldos ishte aq e mirë, sa lojtarët e Unitedit i kërkuan menaxherit të tyre, Alex Fergusonit, ta nënshkruante atë. Ronaldo madje u prezantua me lojtarët e Unitedit në zhveshtore pas ndeshjes. Brenda një jave, ai kishte nënshkruar për Unitedin për 15 milionë euro.

Manchester United (2003-09)

Ishte gjatë periudhës së tij të parë në United që Ronaldo u bë një superyll, duke u zhvilluar nga një anësor jashtëzakonisht i talentuar, në një sulmues të frytshëm dhe të frikshëm. Ai shënoi 118 gola në 292 ndeshje në të gjitha garat, duke ndihmuar Unitedin të fitojë titullin e kampionit për tri sezone rresht. Ai gjithashtu fitoi Ligën e Kampionëve me Unitedin në 2008, duke shënuar golin e ekipit në finale që përfundoi 1:1 përpara se Unitedi të triumfonte në penallti. Ronaldo fitoi “Topin e Artë” për të parën herë në vitin 2008, pas një sezoni kur shënoi 42 gola në të gjitha garat. Në atë kohë ai ishte shumë i lidhur me një lëvizje në Real Madrid, por qëndroi në United edhe një sezon - gjatë të cilit ai e ndihmoi skuadrën të fitonte titullin dhe kupën e Anglisë.

Real Madrid (2009-18)

I nënshkruar për një shifër rekorde prej 130 milionë eurosh, Ronaldo fitoi më shumë trofe dhe famë në një periudhë nëntëvjeçare që u përcaktua nga rivaliteti i tij me yllin e atëhershëm të Barcelonës, Lionel Messi, dhe aftësitë e tyre të kombinuara në shënimin e golave. Kaq i suksesshëm ishte Ronaldo, i cili kryesisht luante si qendërsulmues, sa ai shënoi mesatarisht më shumë se një gol në ndeshje në kohën e tij në Madrid - 450 gola në 438 ndeshje - për t'u bërë golashënuesi më i mirë i klubit. Ai arriti shifrën e 40 golave në tetë nga nëntë sezonet e tij, duke arritur në 60 sosh në dy prej tyre. Ai fitoi Ligën e Kampionëve katër herë së bashku me dy tituj të La Ligës dhe mori “Topin e Artë” në vitin 2013, 2014, 2016 dhe 1017 mes një periudhe të qëndrueshme përsosmërie që e ngriti atë në mesin e lojtarëve më të mëdhenj që kanë luajtur ndonjëherë.

Juventus (2018-21)

Duke dashur të fillojë një “fazë të re” në karrierën e tij - në një periudhë kur ai dhe lojtarët e tjerë kryesorë në Spanjë u akuzuan për mashtrim tatimor - Ronaldo siguroi një tjetër lëvizje me para të mëdha, këtë herë në Juventus për 112 milionë euro. Ishte një tarifë rekord transferimi në ligën italiane dhe ai vazhdoi të jepte gola, duke shënuar 101 herë në 134 paraqitje dhe duke qenë golashënuesi më i mirë në dy nga tri sezonet e tij. Ai kurrë nuk e fitoi Ligën e Kampionëve me Juventusin, megjithëse ishte në klubin italian ku ai kaloi përpara Messit në listat e përgjithshme të golashënuesve në garën më të mirë të Evropës. Ai gjithashtu fitoi dy herë titullin e ligës (2019, 2020).

Manchester United (2021-22)

“Jam kthyer aty ku bëj pjesë”, shkroi Ronaldo pasi vulosi një rikthim të papritur në United mes interesimit të zyrtarizuar nga Manchester City. Një tarifë prej 15 milionë eurosh për t'i paguar Juventusit gjatë pesë vjetëve dukej një ujdi e mirë për Unitedin, i cili e pa Ronaldon si lojtarin që do të drejtonte klubin drejt titullit të tij të parë në Premier League që nga viti 2013 dhe një vend përsëri në futbollin evropian. Nuk funksionoi kështu. Ai vazhdoi të shënonte gola, por lëvizshmëria e tij e reduktuar dhe shkalla e punës ndikuan në United, pasi skuadra përfundoi në vendin e gjashtë në sezonin 2021-22. Ronaldo humbi fillimin e këtij sezoni pasi u kthye vonë në stërvitje për shkak të atyre që u përshkruan si “arsye personale”. Në thelb, ai donte një lëvizje sepse Unitedi nuk ishte kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe kështu filloi një përplasje me trajnerin e ri, Erik ten Hag, që e pa atë të bëhej një lojtar rezervist dhe më pas të jepte një intervistë shpërthyese para Kupës së Botës që ishte fundi i tij. Një javë më vonë, kontrata e tij u ndërpre.