Sport

Guardiola thotë se City do të ketë telashe për ta zënë Arsenalin

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka paralajmëruar se Arsenali do të jetë i vështirë për t'u kapur në garën për titullin e kampionit në Premier League dhe se ekipit të tij mund t’i duhen 100 pikë për ta mbrojtur titullin e fituar sezonin e shkuar. Arsenali, i drejtuar nga ish-asistenti i Guardiolas, Mikel Arteta, mund të kishte shkuar në 10 pikë diferencë ndaj Cityt në tabelë, por barazoi pa gola në ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Newcastle Unitedit. Aktualisht, Arsenali prin me 44 pikë të mbledhura, tetë më shumë se City që renditet i dyti.

Megjithatë, City, i cili u mbajt nga Evertoni në natën e Vitit të Ri, mund ta ngushtojë diferencën me Arsenalin në pesë pikë nëse fiton të enjten në udhëtim te Chelsea. Ndërkohë, Guardiola pranoi se skuadra e tij nuk guxon të bëjë më gabime të tjera nëse do ta fitojë titullin e pestë në gjashtë vjet. Mirëpo, Guardiola ka thënë se nëse Arsenali vazhdon me paraqitje të mira, atëherë City do ta ketë të pamundur për ta kapur.

“Mënyra se si duhet të zvogëlojmë diferencën është të luajmë mirë dhe t’i fitojmë ndeshjet”, tha Guardiola të mërkurën. “Arsenali ka një mesatare të mirë të pikëve dhe nëse vazhdon kështu, atëherë do të na duhen 100 pikë të mbrojtur titullin. Nëse ata vazhdojnë në atë mënyrë, ne nuk do t'i kapim ata. Ne duhet të jemi pothuajse të përsosur nga këtu dhe shpresojmë që ata të humbasin performancën e tyre dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Arsenali po e synon këtë sezon titullin e parë të kampionit që nga viti 2004. Deri më tani, londinezët kanë vetëm një humbje karshi 14 fitoreve dhe dy barazimeve. Shumica e njerëzve kanë pritur që Chelsea të ishte pjesë e garës për titull, por City viziton “Stamford Bridgen” të enjten, me skuadrën e Graham Potterit që ngec në vendin e 10-të në renditje. Guardiola, megjithatë, pret një betejë të ashpër si zakonisht në ndeshjen që starton në orën 21:00. I pyetur se a pret vështirësi ndaj Chelseat, Guardiola pranoi se ekipi i tij aspak nuk do ta ketë të lehtë.

“Është Premier League, të gjitha ekipet janë të forta. Kjo është arsyeja pse në parashikimet në fillim të sezonit gjithmonë përgjigjja ime është nuk e di. Askush nuk e di. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë, pas Kupës së Botës shumë gjëra do të ndodhin. Nuk ka rëndësi pozicioni që jeni kur luani në udhëtim te Chelsea, është gjithmonë e vështirë”, u shpreh Guardiola.

Trajneri spanjoll tha se do të vendos para ndeshjes nëse mbrojtësi Aymeric Laporte do të jetë në gjendje të luajë kundër Chelseat. Mirëpo, ai pranoi se qendërmbrojtësi tjetër, portugezi Ruben Dias, nuk do të jetë i disponueshëm për këtë derbi.

“Rubeni mungon, ndërsa për Aymericun do të vendosi para ndeshjes”, u shpreh Guardiola.

Në anën tjetër, Chelsea do të jetë pa portierin Edouard Mendy, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi.

City ka 11 pikë më shumë se Chelsea edhe pse ka humbur pesë pikë në tri ndeshjet e fundit kampionale. E forma jo stabile e Cityt, i jep kurajë trajnerit të Chelseat, Graham Potter, që u ka bërë thirrje tifozëve të mbushin stadiumin dhe ta përkrahin ekipin e tij drejt fitores.

“Ne duhet të luajmë mirë vetë, ky është çelësi”, shtoi ai. “City ka cilësi, por ne mund ta ndalim. Ne duhet t’i shkaktojmë probleme dhe t’i vëmë nën presion. Po ashtu, duhet ta përdorim atmosferën e stadiumit për të fituar”, ka shtuar Potter.