Sport

Peles i jepet lamtumira e fundit në qytetin që e bëri të famshëm

Arkivoli i Peles mbërriti në vendin e prehjes së tij të martën mbrëma, ndërsa miliona tifozë në Brazil dhe në mbarë botën vajtuan legjendën e sportit. Turma emocionale qëndronte anash, ndërsa arkivoli i legjendës së futbollit brazilian, Pele, u përcoll nëpër rrugët e Santosit me një kamion të zjarrfikësve. 230 mijë qytetarë, përfshirë presidentin e ri të vendit, kaluan para arkivolit të hapur të legjendës për të bërë homazhe.

Të rinj e të vjetër u përqafuan ndërsa funerali përshkoi rrugët e qytetit bregdetar për orë të tëra, me disa tifozë të përlotur dhe të tjerë që brohoritnin për një hero kombëtar që u ngrit nga varfëria për t'u bërë një nga sportistët më të mëdhenj dhe më të njohur në histori.

Pele vdiq javën e kaluar në moshën 82-vjeçare, pasi luftoi me kancerin e zorrës së trashë për një vit. Arkivoli i tij u largua nga stadiumi “Vila Belmiro”, shtëpia e klubit Santos, për të cilin Pele luajti nga viti 1956 deri në vitin 1974, duke shënuar më shumë se 1000 gola. Arkivoli u largua pas një qëndrimi 24-orësh. Tifozët pritën në radhë për orë të tëra për të bërë nderimet e tyre.

Klubi njoftoi se mbi 230 mijë persona i bënë homazhe Peles. Një nga momentet më prekëse erdhi kur funerali u ndal jashtë shtëpisë së nënës 100-vjeçare të Peles. Turma atje duartrokiti dhe brohoriti “Pele është mbreti ynë”, përpara se të mbante një minutë heshtjeje.

Motra e Peles, Maria Lucia Nascimento, 78 vjeçe, shikoi me lot nga një ballkon dhe falënderoi turmën për respektin e madh që tregoi ndaj vëllait të saj. Presidenti i sapobetuar, Luiz Inacio Lula da Silva, mbërriti me helikopter në stadium, ku qëndroi për rreth 30 minuta pranë arkivolit të Peles, të mbuluar me një flamur brazilian dhe të vendosur në qendër të fushës së futbollit. Lula ngushëlloi anëtarët e familjes së Peles dhe përcolli një ceremoni katolike së bashku me zonjën e parë, Rosangela da Silva.

“Është një humbje e pariparueshme për Brazilin”, tha presidenti. “Pele, përveçse ishte futbollisti më i mirë në botë, ishte njeri modest dhe i thjeshtë”.

Arkivoli u dërgua në varreza ndërsa grupet muzikore interpretuan këngën zyrtare të ekipit të Santosit dhe një himn katolik. Para se të mbërrinte arkivoli, të pranishmit kënduan këngë samba që Pele i kishte pëlqyer.

Funerali përfundoi në “Ecumenical Memorial Necropolis” (Varrezat Përkujtimore) të qytetit, ku Pele u varros me një shërbim katolik në dhjetëkateshen që mban rekordin botëror si varreza më e lartë në tokë. Nëpër rrugët e Santosit, qytet me 430 mijë banorë, ku Pele jetoi për pjesën më të madhe të jetës, disa kishin vështirësi për ta pranuar humbjen e legjendës.

“Ende po përpiqem ta bindi veten se Pele nuk jeton më. Po kam vështirësi të pajtohem me këtë fakt. Nuk mund t’i them lamtumirë. Brazili po përshëndetet nga një legjendë e popullit”, tha tifozi i Peles, Marcelo Caverna, i përlotur.

Njerëz të famshëm dhe autoritete, duke përfshirë zyrtarë nga vende si Bregu i Fildishtë, Nigeria dhe Koreja e Jugut bënë nderimet e tyre. E veja e ikonës, Marcia Cibele Aoki, gruaja e tretë e Peles, me të cilën u martua në vitin 2016, qau para arkivolit ndërsa zgjati dorën për t'i prekur kokën. Arkivoli ishte i mbështjellë me flamujt e Santosit dhe Brazilit dhe i rrethuar me lule të bardha, duke përfshirë buqeta nga Real Madridi dhe ylli aktual i Brazilit, Neymar, babai i të cilit ishte i pranishëm në ceremoninë e varrimit. I pranishëm ishte edhe ish-lojtari i Brazilit, Ze Robero, që ndihmoi në bartjen e arkivolit të Peles.

Qindra mijëra njerëz ishin rreshtuar rrugëve për t’i dhënë lamtumirën Peles, ndërsa kishin me vete flamuj dhe fanella të legjendës. Ata njëzëri e quajtën Pelen si “Mbretin e tyre”. Deofilo de Freitas ishte ndër të parët që i bëri homazhe arkivolit të Peles të hënën, por ai nuk u pajtua vetëm me këtë. Ditën e martë ai shkoi pranë arkivolit të idhullit të tij, të cilit ia dha lamtumirën e fundit.

“Pele ishte njeriu i popullit. Ai na ka gëzuar të gjithëve. Është vështirë të gjejmë dikë tjetër sikurse Pele. Edhe pse ishte lojtari më i mirë më botë, ai gjithashtu ishte edhe qenia njerëzore më e thjeshtë”, u shpreh Freitas, që nuk mund të përmbahej nga lotët.

Geovana Sarmento, 17 vjeçe, priti në radhë për tri orë për të parë arkivolin e Peles teksa përshkonte rrugët e Santosit. Ajo erdhi me babanë e saj, i cili kishte veshur fanellën e Brazilit me emrin e Peles.

“Unë nuk jam tifoze e Santosit, e as babai im. Por ky djalë shpiku përfaqësuesen e Brazilit. Ai e bëri Santosin më të fortë, e bëri të madh dhe për këtë arsye meriton të respektohet. Ai është një nga njerëzit më të mëdhenj ndonjëherë, ne kishim nevojë ta nderonim atë”, tha ajo.

Caio Zalke, 35 vjeç, inxhinier, po ashtu e kishte fanellën e Brazilit ndërsa shikonte arkivolin e Peles t’i kalonte pranë.

“Pele është braziliani më i rëndësishëm i të gjitha kohërave. Ai e bëri sportin të rëndësishëm për Brazilin dhe e bëri Brazilin të rëndësishëm për botën”, tha ai.

Turma ishte kryesisht vendase, edhe pse disa vinin nga larg. Shumë pjesëmarrës ishin shumë të rinj për të parë ndonjëherë Pelen duke luajtur, por kjo nuk kishte rëndësi aspak. Në mesin e tyre ishte edhe shoku më i mirë i Peles, Manoel Maria, gjithashtu ish-futbollist i Santosit.

“Edhe po të isha njeriu më i pasur në botë nuk do të mund t’ia shpaguaja Peles atë që ka bërë për mua dhe familjen time. Ai ishte njeri i madh dhe lojtar i madh gjithashtu, më i miri i të gjitha kohërave. Trashëgimia e tij do të jetë përgjithmonë dhe kjo dëshmohet me praninë e të gjitha moshave në funeralin e tij”, u shpreh Maria.

I lindur si Edson Arantes do Nascimento, Pele shpërtheu në skenë në moshën 15-vjeçare, kur bëri debutimin profesional me fanellën e Santosit. Ai shkëlqimin e vazhdoi edhe me Brazilin, të cilin e udhëhoqi drejt tre titujve të Botës - 1958, 1962 dhe 1970 – si lojtari i vetëm në histori që e ka arritur këtë sukses. Po ashtu Pele mbetet njëri prej golashënuesve më të mirë të Brazilit, me 77 gola të realizuar.

Pele i ishte nënshtruar trajtimit për kancerin e zorrës së trashë që nga viti 2021. Qendra mjekësore ku ai ishte shtruar tha se Pele vdiq nga dështimi i shumëfishtë i organeve si pasojë e kancerit.