Sport

Besnik ndaj Santosit, Pele bëri turne dhe shënoi në Evropë

Descriptive Text

 Pele apo Diego Maradona? Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo? Debatet e pafundme mbi lojtarin më të madh në historinë e futbollit për meshkuj shpesh mund të hasin në fjalë që synojnë Pelen, i cili vdiq të enjten në moshën 82-vjeçare, me pretendimin se ai nuk u testua në skenën evropiane kundër disa prej klubeve më të mira në botë — ndryshe nga të mëdhenjtë e tjerë të futbollit. Por pavarësisht se luajti gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij në klubin brazilian Santos, dhe më vonë me New York Cosmos të Ligës së Futbollit të Amerikës së Veriut, Pele në fakt u përball me disa nga kundërshtarët më të mirë evropianë. Dhe shënoi shumë gola. Pele luajti shtatë herë kundër Benficas, e cila drejtohej nga i madhi portugez Eusebio dhe konsiderohej një nga klubet më të mëdha evropiane. Santosi fitoi gjashtë nga ato ndeshje, duke barazuar tjetrën. Pesé shënoi gjithsej nëntë gola.

Teksa Santosi “rrokullisej” nëpër glob në vitet 1950, 1960 dhe 1970 për të shfaqur yllin e tij më të madh, Pele u përball me skuadra si Real Madridi, Barcelona, Juventusi, Interi, Milani dhe Roma. Dennis Tueart, një ish-lojtar i Anglisë që zëvendësoi Pelen në Cosmos, tha se nuk kishte rëndësi që ikona e futbollit nuk luajti kurrë në një ligë evropiane.

“Ju kishit lojtarë evropianë në Kupën e Botës dhe ai e fitoi atë tre herë. Nuk mund të thuash asgjë kundër tij”, tha Tueart. “Ne luanim ndeshje miqësore dhe udhëtonim nëpër botë në Indonezi, Singapor, Hong-Kong, Japoni dhe Australi dhe ai me të cilin të gjithë donin të flisnin ishte Pele. Ishte e përulur ta shihje”.

Pele dhe Santosi shpesh u përballën me kundërshtarë të dobët gjatë atyre turneve, të cilat synonin kryesisht të fitonin para. Por mposhtja e Santosit të Peles ishte një sfidë e marrë seriozisht nga klubet, dhe ato shpesh nxirrnin në fushë lojtarët e tyre më të mirë në kontrast me turnetë parasezonalë tani.

Të gjithë donin ta shihnin Pelen duke luajtur. Rreth 110,000 tifozë thuhet se panë Santosin duke mposhtur Interin 4:1 në stadiumin “San Siro” në Itali në vitin 1961. Në vitin 1972, raportet e gazetave në atë kohë thanë se 50 persona u lënduan para ndeshjes së Santosit kundër Romës në Itali, ndërsa 70,000 tifozë u paraqitën në stadiumin me kapacitet prej 50 mijë ulësesh. Disa nga ndeshjet e Peles në Evropë erdhën në Kupën Ndërkontinentale, tani e barabartë me Kupën e Botës për Klube të FIFA-s. Pele mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës Ndërkontinentale me shtatë gola. Pele tha se kishte oferta për të luajtur për klubet evropiane, duke përfshirë ato nga Real Madridi dhe Interi, por në atë kohë “nuk kishte nevojë” që lojtarët e mëdhenj të transferoheshin në futbollin evropian. Ai vendosi të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi përfundoi karrierën e tij me Santos në vitin 1974.

“Nuk do të kishte ndonjë ndryshim të shkoja në Evropë”, tha Pele.

Pele shënoi 12 gola në 14 ndeshje të Kupës së Botës dhe është i vetmi kampion i trefishtë i botës, duke fituar tituj në vitin 1958, 1962 dhe 1970. Ai kurrë nuk mori çmimin “Topi i Artë” për lojtarin më të mirë, sepse çmimi nuk merrte në konsideratë lojtarët joevropianë gjatë kohës së Peles. Sipas Santosit, Pele luajti 353 ndeshje jashtë vendit, duke shënuar 361 gola. Vetëm në Evropë, ai luajti afro 200 ndeshje dhe shënoi më shumë se 200 gola. Pele tha se një nga paraqitjet më të mira të karrierës së tij erdhi në fitoren 5:2 të Santosit ndaj Benficass në finalen e Kupës Ndërkontinentale të vitit 1962. Pele u përball gjithashtu me një tjetër lojtar të shkëlqyer të të gjitha kohërave, Alfredo Di Stefanon, në një humbje 5:3 kundër Real Madridit në një miqësore në stadiumin “Santiago Bernabeu” në vitin 1959, me brazilianin që shënoi një herë. Në turneun evropian të Santosit atë vit, Santosi mposhti Interin 7:1 me katër gola të Peles dhe mundi Barcelonën 5:1 me Pelen që shënoi dy gola.

“Njerëzit në shumë vende dinin për Brazilin vetëm për shkak të asaj që bëri Pele”, tha ish-ylli i Brazilit Zico. “Ai na bëri krenarë që jemi brazilian për gjithçka që përfaqësonte dhe për gjithçka që bëri”.