Sport

Kualifikimi i Skënderbeut, reagimi i protagonistëve

Descriptive Text

Skënderbeu është kualifikuar në fazën e “play-offit” në Ligën e Evropës duke e eliminuar skuadrën çeke Mlada Boleslavin në penalti.

Kristi Vangjeli ka thënë pas takimit për Supersport se, “në pjesën e parë, e kemi nënvlerësuar kundërshtarin dhe bëmë atë paraqitje por ashtu siç ndodhi edhe në Çeki edhe këtu reaguam dhe arritëm të siguronim kualifikimin. Falënderoj tifozët për mbështetjen sepse sot të gjithë shqiptarët ishin me ne dhe na i bënë gjërat më të lehta. Për rivalin në play off nuk kam ndonjë preferencë, ne do të synojmë avancimin në fazën grupeve”.

Kurse Ilir Daja thotë ndeshja nuk filloi mirë, por fati ishte në anën e Skënderbeut.

“Më i rëndësishëm është kualifikimi. Nuk e filluam mirë sfidën, kjo për meritë edhe të kundërshtarit që e kishte përgatitur mirë ndeshjen. Disa lojtarë si Xhejms nuk ishin në gjëndjen e tyre më të mirë dhe mu desh të bëja disa ndryshime rolesh. Fati ishte me ne sot, i rëndësishëm është vetëm kualifikimi. Kur humbasim kemi të gjithë fajet tona, por kur fiton ekipi urimet shkojnë të gjitha për presidentin që ka ditur t’i japë kuptim investimit të tij. Merita janë për futbollistët e mi por edhe për tifozët që na kanë mbështetur aq shumë”, thotë Daja.

Kurse heroi i kësaj përballje, portieri Orges Shehi tha pas takimit se, “edhe pse kam qenë me mendjen për ta lënë futbollin jam stërvitur maksimalisht, sepse të luash në këto lloj kompeticione nuk e mendon aspak atë pjesë. Të festojmë sot, të shpresojmë për një short të mirë dhe pastaj mund të flasim se çfarë do të bëj unë me të ardhmen time. Nuk është e lehtë të presësh penallti, por për një portier me eksperiencë të madhe, arrin të kuptojë sesi vendoset lojtari që godet dhe kjo është diçka pozitive”.

Presidenti i klubit Ardian Takaj ka thënë se objektivi tani është kualifikimi në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

“U thashë futbollistëve të japin maksimumin, të luftonin fort në 30 minutat e shtesës sepse kundërshtari ishte i lodhur dhe marrëdhëniet me penalltitë nuk i kemi shumë të mira sepse jemi eliminuar njëherë nga Chernomorets Odesa”, ka thënë Takaj.

Ai më tutje ka shtuar se, “e dija që publiku do të na mbështeste sepse tifozët në sfidat europiane janë gjithmonë të rëndësishëm për ne, ata janë mësuar me ndeshjet europiane dhe në verë shijojnë më shumë këto sfida”.

“Merkato mbyllet më 31 gusht, nuk mund të flas për merkaton të shohim njëherë shortin sepse objektivi ynë janë grupet e Europa Leagues ato janë maksimumi dhe ne duam t’i arrijmë kalimin 3 tureve ndihmon vetëm financat e klubit ndërsa kalimi në grupe është maksimumi”, shprehet ai.