Sport

UEFA nuk ka vendosur për ndeshjen Bjellorusi - Kosovë

Bjellorusia ndeshjen si vendase kundër Zvicrës do ta luajë në Novi Sad të Serbisë. Por, për ndeshjen kundër Kosovës ende nuk është marrë asnjë vendim nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). Kështu është thënë nga anëtarë të përfaqësueses së Kosovës. As në sajtin zyrtar të UEFA-s nuk është cekur ende ku do të luhet ndeshja Bjellorusi - Kosovë.

UEFA ka vendosur që Bjellorusia ta luajë ndeshjen e parë për kualifikimet e Evropianit 2024 në Novi Sad të Serbisë. Bjellorusia në ndeshjen e parë kualifikuese do të jetë vendase kundër Zvicrës më 25 mars. Kjo do të thotë se Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri do të luajnë në Serbi.

Kosova dhe Bjellorusia do të takohen dy herë. Më 19 qershor Bjellorusia është vendase, ndërsa ndeshja kthyese luhet më 21 nëntor në Prishtinë.

Bjellorusia është nën sanksione speciale për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës.

Ajo nuk lejohet të luajë ndeshje në fushën e saj vendase, por do të duhet ta luajë çdo ndeshje në një vend tjetër. Zvicra udhëhiqet nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në fushë. Së fundi është ftuar në Botëror edhe Ardon Jashari.

Në Grupin I janë edhe Rumania, Izraeli dhe Andorra.