Sport

Macron intervenoi tek ekipi i Francës për t’i përshëndetur tifozët

Descriptive Text

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ndërhyri dhe u kërkoi futbollistëve francezë që të përshëndesin tifozët, pas humbjes në finalen e Kupës së Botës “Katari 2022”. Kjo bëri që të kishte një ceremoni të shkurtër publike, tha të martën shefi i Federatës Franceze të Futbollit. Lojtarët e Francës fillimisht donin të shkonin drejt në shtëpi pas kthimit në Paris. Lojtarët u kthyen në Francë të hënën mbrëma, pas humbjes në penallti nga Argjentina mbrëmjen e së dielës.

Kryetari i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, ka treguar se Macroni ishte i përfshirë.

“Nën peshën e zhgënjimit, trishtimit dhe emocioneve kaq të forta, e kuptova këtë zgjedhje dhe e respektova”, tha ai. “Situata ndryshoi rreth orës 10:00, të hënën, pas një bisede me presidentin, i cili donte një moment feste. Natyrisht unë pranova së bashku me ekipin”.

Pas një dite konfuze deklaratash kontradiktore, lojtarët francezë u shfaqën përfundimisht për disa minuta në mbrëmje në ballkonin e hotelit historik “Crillon në Place de la Concorde”. Rreth 50,000 njerëz mbushën sheshin publik për t’i valëvitur flamujt, brohoritur dhe kënduar himnin kombëtar, shumë prej të cilëve kishin pritur për më shumë se katër orë në errësirë dhe të ftohtë.

Pavarësisht nga një atmosferë kryesisht festive, disa nga turma u ankuan se lojtarët mezi shiheshin teksa bënin me dorë nga ballkoni pas një kordoni të gjerë policie. Disa lojtarë francezë thanë se ishin të kënaqur nga pamja e turmës.

“Sinqerisht është madhështore. Të ngrohë zemrën, është një kënaqësi e madhe të shohësh që ne ishim në gjendje të bëjmë kaq shumë francezë krenarë dhe të lumtur”, tha sulmuesi Marcus Thuram.

Reagimi në Francë ka qenë jashtëzakonisht pozitiv ndaj ekipit, i cili iu afrua mbrojtjes së titullit të botës, pavarësisht një serie dëmtimesh të lojtarëve kryesorë, si i fituesit të “Topit të Artë”, Karim Benzema, dhe një virusi në kamp javën e kaluar. Paraqitja e presidentit Macron në finalen në stadiumin “Lusail” jashtë Dohas, të dielën, ka siguruar pothuajse po aq komente sa ajo e ekipit.

Tifozi 44-vjeçar i futbollit mund të shihej duke u hedhur nga vendi i tij gjatë lojës, përpara se të zbriste për të ngushëlluar lojtarët e dëshpëruar pas përfundimit të ndeshjes. Ai më pas mbajti një fjalim të shpejtë në dhomën e zhveshjes, duke çuar në kritika nga disa kundërshtarë dhe komentues vendas se Macron po ndërhynte shumë në hapësirën e ekipit të trajnerit Didier Deschamps.

Federata franceze të martën njoftoi se disa lojtarë iu nënshtruan abuzimit racist në mediat sociale. Kjo ka bërë që federata të paralajmëroi ankesë ligjore. Abuzimi i drejtuar ndaj Kingsley Comanit dhe Aurelien Tchouamenit, të cilët humbën penalltitë ndaj Argjentinës, i bëri jehonë abuzimit të marrë nga tre lojtarë të Anglisë pas humbjes në finalen e “Euro 2020” ndaj Italisë vitin e kaluar. Krerët e futbollit francez lëshuan një deklaratë të martën duke dënuar abuzuesit, të cilët dolën në mediat sociale pas finales që përfundoi 4:2 pas penalltive.

“Në fund të finales së Kupës së Botës disa lojtarë nga skuadra franceze iu nënshtruan komenteve raciste dhe të papranueshme të urrejtjes në mediat sociale”, shkroi Federata në Twitter. “FFF i dënon ato dhe do të bëjë ankesë kundër autorëve të atyre shkrimeve”.

Coman – angazhimi i të cilit në pjesën e dytë nga trajneri Didier Deschamps shkaktoi një ringjallje franceze - tashmë ka pasur në mbrojtje klubin e tij, Bayern Munich.

“FC Bayerni dënon fuqishëm komentet raciste të bëra ndaj Kingsley Coman. Familja e FC Bayernit është pas teje, Kingsley. Racizmi nuk ka vend në sport apo shoqërinë tonë”, shkroi Bayerni.

Politikanët nxituan të dënojnë abuzimin, me Partinë Socialiste të opozitës duke i kërkuar Federatës të parashtrojë ankesë. Isabelle Rome, ministre për Barazinë dhe Diversitetin, e përshkroi abuzimin si “të papranueshëm”.

“I dënoj këto komente me vrullin më të madh”, tha ajo.

Kjo nuk është hera e parë që skuadra franceze vihet në shënjestër. Kylian Mbappe, i cili shënoi “hat-trick” në ndeshjen e së dielës, u keqtrajtua pasi humbi një penallti në humbjen ndaj Zvicrës në ndeshjen e 1/8 së finales të “Euro 2020”. Pas finales së “Euro 2020”, lojtarët anglezë Jadon Sancho, Bukayo Saka dhe Marcus Rashford ishin shumë të abuzuar në internet, pasi nuk arritën të shënonin penalltitë e tyre në tentimin e Anglisë për ta fituar trofeun e parë që nga Kupa e Botës 1966. Policia britanike bëri disa arrestime pas kësaj dhe një person u burgos për 10 javë.