Sport

Rashica i lumtur te Galatasaray, synon titullin e kampionit

Milot Rashica - Galatasaray

Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, ka zbuluar se skuadra e Galatasarayt e ka kërkuar me ngulm gjatë tërë verës dhe se ai ishte i vendosur për ta bërë lëvizjen për në Turqi. Rashica ia doli t’i bashkohet Galatasarayt në fund të shtatorit, kur u huazua për një vit nga Norwich City që tashmë kishte nisur sezonin në Championship.

Ka kohë që raportohet se Galatasaray po synon blerjen e kartonit të Rashicës, të cilit do t’i ofrojë kontratë afatgjate. Ekipi turk e ka këtë opsion në kontratë dhe mund ta bëjë Rashicën lojtar të tij për shtatë milionë euro. 26-vjeçari iu bashkua Norwichit vitin e shkuar nga Werder Bremeni për 11 milionë euro. Ai ka kontratë me Norwichin deri në vitin 2025, por kishte debutim dëshpërues në Premier League.

“E dija se Galatasaray ishte i interesuar për mua prej ditës së parë të afatit kalimtar, por në atë kohë nuk po arrinte një marrëveshje me Norwichin. Pastaj, dy ditë para se të mbyllej afati kalimtar në Turqi, marrëveshja u arrit dhe unë isha shumë i emocionuar kur u njoftova. Kam biseduar tërë kohën me menaxherin dhe doja me çdo kusht t’i bashkohesha Galatasarayt. Prej ditës së parë e kam kuptuar se i përkas këtij klubi, pasi të gjithë më kanë mirëpritur, përfshirë edhe tifozët që janë fantastikë”, ka thënë Rashica. “Ata më kanë përkrahur dhe po vazhdojnë të më përkrahin. Lirisht mund të them se nuk kam parë kurrë në jetën time tifozë kaq të dhënë pas klubit”.

Rashica insiston se Galatasaray është klub i madh, ndërsa edhe liga e Turqisë është e fortë. Megjithatë pranon se niveli dhe kërkesat në Premier League janë shumë më të mëdha.

“Galatasaray është klub shumë më i madh sesa duket nga jashtë. Këtë e kupton vetëm kur je pjesë e klubit. Sigurisht që ka dallime mes futbollit turk dhe evropian, por nuk mendoj se liga e Turqisë është prapa në aspektin e taktikës dhe forcës. Intensiteti është i lartë, por në Angli niveli është krejtësisht tjetër dhe për këtë arsye është korrekte të thuhet se Premier League është më e forta në botë”, ka shtuar Rashica.

Në Premier League, Rashica ka shënuar një gol në 35 paraqitje, ndërsa thekson se te Galatasaray është përshtatur shumë mirë. Në tetë ndeshje të luajtura deri më tani ai ka shënuar dy gola dhe ka po aq asistime.

“Pasi jam nga Kosova, ne gjithmonë e kemi përcjellë futbollin e Turqisë nga afër. Jemi shumë të ngjashëm si popuj. Shumë shqiptarë jetojnë në Turqi dhe po ashtu ka lojtarë të Kosovës që luajnë nëpër klubet e tjera këtu”, shtoi Rashica, që ka folur për revistën e Galatasarayt. “Turqia ishte një nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Kemi lidhje të ngushta me Turqinë dhe mund të them gjithashtu se dashuria për Galatasarayn është shumë e madhe në Kosovë”.

Rashica thotë se ndihet shumë mirë në Stamboll.

“Jetoj në njërin prej qyteteve më të bukura. Pasi familja ime flet gjuhën turke, ne nuk kemi asnjë telash. Po e shijoj jetën këtu dhe ndihem mirë si lojtar i Galatasarayt. Po përparojmë shumë mirë si ekip dhe shpresoj që në fund të sezonit ta fitojmë titullin e kampionit”.

Rashica pritet të jetë i gatshëm për vazhdimin e sezonit, në fund në këtij muaji. Pothuajse plotësisht është rikuperuar nga lëndimi i gjurit. Aktualisht Galatasaray është i dyti në tabelë me 27 pikë, dy më pak se Fenerbahçe që prin pas 13 xhirove të luajtura.