Sport

Mourinho i kënaqur me transferimet, por kërkon edhe një lojtar

Descriptive Text

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho është i kënaqur me punën e klubit në këtë afat kalimtar, por ka thënë se do të ishte fantastike që të arrihej synimi i plotë “katër transferime nga po aq synime”.

“Djajtë e Kuq” po e kërkojnë me ngulm Ivan Perisiqin nga skuadra e Interit, por deri më tani kanë dështuar që të paguajnë 55 milionë euro, aq sa kërkon klubi italian, transmeton Koha.net.

Victor Lindelof, Nemanja Matiq dhe Romelu Lukaku janë përforcimet e këtij afati kalimtar të Unitedit.

“Skuadra është e mirë, dhe ashtu siç ju kam thënë disa muaj më parë, shpresoja që të transferojmë katër lojtarë për të përforcuar skuadrën. Klubi ka bërë një punë fantastike, duke transferuar tre prej tyre, që është shumë e vështirë në këtë treg të çmendur. Të marrësh tre nga katër synimet, e falënderoj klubin për këtë. Do të isha edhe më i lumtur të më jepnin katër prej katër synimeve”, është shprehur Mourinho.

Anthony Martial është raportuar se mund të jetë pjesë e marrëveshjes për Perisiqin, por portugezi ka insistuar se të gjithë të rinjtë janë në planet e tij.