Sport

FIFA synon 11 miliardë dollarë nëpërmjet Botërorit 2026

FIFA pret që të përfitojë 11 miliardë dollarë në ciklin e Kupës së Botës 2026 me 48 përfaqësuese, që do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Buxheti katërvjeçar, që u prezantua të premten nga Këshilli i FIFA-s, parasheh rritje prej rreth 50% të të hyrave nëpërmjet të drejtave televizive dhe marrëveshjeve me sponsorë.

Ndeshjet e atij Botërori do të zhvillohen në disa stadiume të ligës NFL.

“Ne jemi optimistë për fuqinë e futbollit”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pas takimit me Këshillin e FIFA-s. “Jemi të bindur se ndikimi i kësaj loje do të jetë madhështor”.

Për Kupën e Botës në Katar, FIFA ka bërë të ditur se ka pasur të hyra prej 7.5 miliardë dollarëve në ciklin komercial 2019-2022, një miliard dollarë më shumë sesa që ishte parashikuar.

Ka paqartësi se sa ndeshje do të luhen në vitin 2026 dhe lidhur me shitjen e të drejtave televizive në Kupën e Botës me 48 ekipe.

Këshilli i FIFA-s u pajtua në janar të vitit 2017 të ketë formatin me 80 ndeshje, ndërsa skuadrat të luajnë në 16 grupe me nga tri skuadra, para rundit nokaut që përfshin 32 ekipe.

Botërori 2022, që mbyllet të dielën me duelin mes Argjentinës dhe fitueses në fuqi të Botërorit, Francës, pati 64 ndeshje. Formati me tetë grupe ka krijuar tension të lartë pasi pati ndryshime të mëdha në renditje në takimet e fundit.

“Duhet të paktën ta diskutojmë sërish formatin më të mirë”, ka thënë Infantino, duke cituar se drama e vazhdueshme dhe “absolutisht e jashtëzakonshme”, nuk do të ishte e pranishme me formatin e tri skuadrave nëpër grupe.

Zgjerimi në 48 shtete pjesëmarrëse u planifikua për të ndihmuar shtetet me futbollin në zhvillim, që rrallë kualifikohen në Kupë të Botës.

Kjo ndodhi pavarësisht hulumtimit të FIFA-s që këshillonte se lojërat me cilësi më të lartë do të jepeshin nga formati aktual me 32 ekipe, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 1998 dhe është i balancuar me dy skuadra që avancojnë nga secili grup në raundin nokaut.

Sidoqoftë, më shumë se pesë vjet pasi formati i vitit 2026 u vendos, zyrtarët e FIFA-s kanë sugjeruar formatin me 104 ndeshje, ndërsa ekipet të ndahen në 12 grupe me nga katër skuadra, para se të luhet faza nokaut me 32 ekipe.

Në këtë rast disa prej skuadrave të vendit të tretë nuk do ta dinin për disa ditë nëse kanë avancuar tutje apo janë eliminuar.

Formati me 104 ndeshje mund t’i shtojë edhe disa ditë të Kampionatit Botëror, pasi ndryshe është situata me turne ku marrin pjesë 32 skuadra.

Kupa e Botës 2026 do të luhet në 16 qytete: 11 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tri në Meksikë dhe dy në Kanada.

FIFA po synon që të ndryshojë edhe disa marrëveshje me transmetues, pavarësisht se tashmë është pajtuar me transmetuesin FOX dhe beIN Sports të Katarit, për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.