Sport

Marokenët shikojnë kah e ardhmja pas përfundimit të ëndrrës për titullin e botës

Descriptive Text

Maroku bëri histori, por nuk mundi të kalonte Kylian Mbappen dhe Francën.

Vendi i parë afrikan që arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës u mund përfundimisht nga kampionia në fuqi, Franca, duke humbur 2:0 në stadiumin “Al Bayt” të mërkurën. Ka ende mundësi për të fituar ndeshjen e vendit të tretë kundër Kroacisë të shtunën, por ëndrra për t'u bërë skuadra e parë jashtë Evropës apo Amerikës së Jugut që shkon deri në një finale ka përfunduar për Marokun. Trajneri i Marokut, Walid Regragui, dhe lojtarët e tij u bënë historia më e pamundshme e Kupës së Botës dhe madje edhe në humbje e shtynë Francën deri në fund të limiteve.

“Lojtarët e mi dhanë gjithçka. Ata kanë shkuar aq larg sa mundën”, tha Regragui. “Ata donin të rishkruanin librat e historisë, por ju nuk mund të fitoni një Kupë Bote me mrekulli, ju duhet ta bëni atë me punë të palodhur dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë, vazhdojmë të punojmë”.

Askush nuk mund të priste që Maroku të thyente kufijtë e rinj për futbollin afrikan duke kaluar në gjysmëfinale. Ai ishte gjithashtu vendi i parë arab që shkoi kaq larg në një Kupë Botërore. Dhe e bëri këtë me meritë - kryesoi një grup që përmbante Kroacinë finaliste të vitit 2018 dhe Belgjikën e renditur të dytën në ranglistën e FIFA-s, përpara se të kalonte favoritët kryesorë, Spanjën dhe Portugalinë në fazat e eliminimit. Por ndoshta performanca më e mirë e Marokut erdhi kundër Francës kur iu desh të përballej me dëmtimet e lojtarëve kryesorë dhe duke pranuar një gol brenda pesë minutave. Përballë atyre sfidave, Maroku ende arriti të ushtronte presion ndaj Francës për periudha të gjata, derisa goli i Randal Kolo Muanit në minutën e 79-të vulosi fitoren për “Les Bleus”. Paraqitja në këtë gjysmëfinale, e konfirmoi shpirtin e Marokut në këtë turne dhe cilësinë e lojtarëve të tij. Regragui ka fituar shumë admirues për zgjuarsinë e tij taktike kundër disa prej gjigantëve të futbollit ndërkombëtar. Do të jetë interesante të shihet nëse do të vijë ndonjë ofertë nga ekipet kryesore të Evropës - dhe nëse ai do të tundohej të merrte një sfidë të re. Ai thotë se është i përkushtuar për të udhëhequr Marokun në Kupën e Afrikës 2023, e cila do të jetë një lehtësim për tifozët e vendit. Mbrojtësi kryesor dhe kapiteni Romain Saiss është 32 vjeç dhe mund të ketë luajtur në Botërorin e tij të fundit, por Maroku ka shumë lojtarë të rinj, të cilët mund të shkojnë sërish pas katër vitesh kur turneu të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Mesfushori Azz-Eddine Ounahi ka qenë një nga talentet më të ndritura në turne dhe mund të jetë objekt i interesit nga klubet kryesore në janar ose verën e ardhshme. Në moshën 22-vjeçare, ai ende nuk e ka arritur kulmin e tij dhe aktualisht luan te Angersi, ekipi i fundit në divizionin e parë të Francës. Achraf Hakimi është tashmë i vendosur në Paris Saint-Germain, por mbrojtësi i djathtë 24-vjeçar ka potencialin për t'u zhvilluar më tej dhe për të udhëhequr një brez të artë për Marokun. Para së gjithash, Maroku dëshiron të përmbyllë një Botëror të paharrueshëm duke fituar ndeshjen e vendit të tretë kundër Kroacisë. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 16:00. Fokusi më pas do të kthehet në Kupën e Afrikës dhe Regragui është rehat me pritshmëritë e shtuara pas suksesit në Katar.

“Ka më shumë presion. E dimë që shpesh ishim favoritë, por tani në gjysmëfinale nuk mund të fshiheshim. Mendoj se do të kemi pak kohë për të gjetur rrugën tonë në garë. Ndeshja e radhës është në mars”, insistoi Regragui. “Por, siç thashë më parë, nuk po fshihem. Nëse nuk arrijmë të paktën në gjysmëfinale, atëherë do të largohem. Kështu duhet të jetë”.