Sport

Trazira në Francë pas kalimit në finale të Botërorit, raportohet për një 14-vjeçar të vdekur

Trazira ne France - pas fitores ndaj Marokut ne Katar 2022

Rrugët e Francës janë mbushur nga tifozët që festonin triumfin në gjysmëfinale të Botërorit “Katar 2022” kundër Marokut.

Franca triumfoi 2:0 ndaj Marokut dhe siguroi kalimin në finale ku do të përballet me Argjentinën të dielën.

Por, në disa qytete pati edhe trazira, e si pasojë e festimeve raportohet për vdekjen e një 14-vjeçari, bën të ditur “Blick”.

Policia franceze ka ndërhyrë në një konfrontim mes tifozëve marokenë dhe francezë në Montpellier. Janë bërë disa arrestime. Janë hedhur mjete piroteknike mes grupeve.

Video të përleshjeve kanë qarkulluar në rrjete sociale.

Raportohet se në Montpellier ka ardhur deri te një aksident i tmerrshëm. Një 14-vjeçar mësohet se është goditur nga një veturë gjatë festimit dhe nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve.

Shoferi ka ikur nga vendi i ngjarjes, por vetura është gjetur në afërsi të aksidentit.

Në Paris raportohet se ishte festuar fillimisht në mënyrë të qetë. Policia kishte caktuar 5000 forca rendi në afërsi të zonës ku ishin mbledhur tifozët. Por, edhe aty pati incidente.

Vetëm në zonën e Parisit u arrestuan 115 persona raporton “BFMTV”. Edhe në Belgjikë në Bruksel ka ardhur te qindra arrestime. Ndërsa përleshje mes tifozëve dhe policisë ka pasur edhe në qytetet si Nice e Cannes.