Sport

Ylli fiton trillerin ndaj Pejës

Descriptive Text

Dy pikët e shënuara të Valon Bunjakit nga gjuajtjet e lira, i kanë siguruar Golden Eagle Yllit fitoren ndaj Pejës. Të mërkurën mbrëma në Suharekë, Ylli triumfoi me shifrat 58:57 në ndeshjen e mbetur e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Peja me treshen e Isiah Umipig kaloi në epërsi me një pikë (57:56), por në aksionin e fundit të Yllit, u faullua Bunjaku që ishte i saktë nga gjuajtjet e lirë kur kishin mbetur edhe nëntë të qindtat e sekondës deri në fund.

Në aksionin e radhës, Peja nuk pati mundësi të bëjë diçka më shumë dhe kështu regjistroi humbjen e tretë këtë edicion në kampionat.

Rashun Davis me 20 pikë të shënuara ishte më i dalluari te Ylli, ndërsa Bashir Ahmed shtoi 13 sosh. Edhe te Peja, vetëm dy lojtarë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Umipig pati 18 pikë, kurse Brad Waldow shtoi 12 sosh, por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen. Me këtë fitore, Ylli tubon 20 pikë, tri më pak se Peja që është krye të tabelës por ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.