Sport

Deschamps po e frymëzon Francën drejt një titulli tjetër të botës

Descriptive Text

Ecuria e Francës në Kupën e Botës po kthehet në një triumf për trajnerin Didier Deschamps. Ai ka fituar ndaj atyre që mendonin se Deschamps kishte qëndruar në krye të ekipit për një kohë të gjatë dhe se nuk kishte gjasa të prekte edhe një finale tjetër.

Fitorja ndaj Anglisë në çerekfinale do të thotë që Franca tani do të përballet me Marokun në gjysmëfinale të mërkurën dhe çfarëdo që të ndodhë në këtë ndeshje, Deschamps do të jetë i lirë të vendosë nëse dëshiron të zgjasë periudhën e tij 10-vjeçare te Franca apo jo.

“Topi është në fushën time dhe unë do të vendos. Do të jem këtu për gjysmëfinalen dhe më pas do të shohim”, tha Deschamps pasi përmbushi objektivin e vendosur për të nga presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet.

“Presidenti është i lumtur. Shumë njerëz janë të lumtur. Por unë dua të shijoj rikthimin në katër të fundit. Unë jam duke menduar për të mërkurën, jo për gjëra të tjera”.

Deschamps u emërua trajner në vitin 2012 dhe disa menduan se ai duhej të ishte larguar pas triumfit të Francës në Kupën e Botës 2018. Ajo që pasoi ishte një paraqitje zhgënjyese në “Euro 2020”, ku Franca humbi në 1/8 e finales, pavarësisht rikthimit të Karim Benzemas në ekip. Me Zinedine Zidanen në dispozicion dhe në dukje gati për t'u bërë trajneri i ardhshëm i Francës, Kupa e Botës në Katar ka qenë ndoshta sfida më e madhe për Deschampsin deri më tani. Mbrojtja e titullit dukej mundësi shumë e vogël për të, pasi pak para fillimit të turneut Franca mbeti pa lojtarët kryesorë. Deschamps mbeti pa mesfushorët startues Paul Pogba e N'Golo Kante dhe më pas edhe pa Benzeman. Shumë pyesnin nëse Franca do të shkonte në rrugën e tri kampioneve të fundit në fuqi, Italisë, Spanjës dhe Gjermanisë, të cilat u eliminuan nga Kupa e Botës së ardhshme në fazën e grupeve.

“Ne do ta pranojmë se kishim dyshime pak për Didier Deschampsin. Pyesnim veten nëse ai kishte qëndruar shumë gjatë, nëse kishte ende motivim”, shkruante në editorialin e fundit të së përditshmes “Le Parisien”. “Ai erdhi në Katar i rrethuar nga disa dyshime. Ato janë fshirë. Është sikur asgjë nuk mund ta ndalojë këtë ekip të Francës. Një Francë që fiton. Franca e Deschampsit”.

Olivier Giroud është rritur në mënyrë spektakolare në mungesë të Benzemas. Sulmuesi veteran shënoi katër herë në Katar, duke përfshirë edhe golin e fitores kundër Anglisë. Deschamps vendosi pak përpara turneut të hiqte dorë nga eksperimenti i tij me mbrojtjen me tre lojtarë dhe të rikthehej në një formacion 4-3-3. Më e rëndësishmja, ai e ka zgjidhur enigmën në mesfushë duke e kthyer sulmuesin Antoine Griezmann në lojtarin më të mirë të turneut. Me një mungesë forme para Kupës së Botës dhe pa një gol ndërkombëtar në më shumë se një vit, lojtari i Atletico Madrid ishte i shkëlqyer edhe një herë kundër Anglisë, duke i asistuar të dy golat.

“Ai është i vetëdijshëm për cilësinë e lojtarëve”, tha David Trezeguet, i cili fitoi Kupën e Botës 1998 së bashku me Deschampsin. “Deschamps i ka kuptuar lojtarët e tij dhe ka arritur të bëjë që të gjithë të japin maksimumin”.

Ka një atmosferë rreth 54-vjeçarit, i cili lidhet me momentet më të mëdha të Francës në çerek shekullin e fundit. Ai ishte kapiten i “Les Bleus” në triumfin e parë në Kupën e Botës në vitin 1998 dhe në triumfin në “Euro 2000”, përpara se t'i stërviste francezët dhe t’i udhëhiqte drejt triumfit në Rusi katër vjet më parë. Bilanci i Francës është i jashtëzakonshëm - ka fituar dy nga gjashtë Kupat e kaluara të Botës dhe ka arritur një tjetër finale.

Deschamps gjithashtu e çoi Francën në finalen e “Euro 2016”. Franca tani është vetëm një ndeshje larg një tjetër finaleje të Kupës së Botës.

“Ai është shumë i qetë. Ai e ka përgatitur këtë garë shumë, shumë mirë”, tha ndihmësi i tij, Guy Stephan. “Ai e dinte saktësisht se çfarë donte të bënte. Ai ka përvojën e turneve të mëdha dhe kjo përvojë i sjell dobi ekipit”.

Nëse Franca mund Marokun dhe më pas fiton finalen, do të jetë skuadra e parë në 60 vjet që mbron me sukses Kupën e Botës. Deschamps do të jetë trajneri i parë që fiton dy herë trofeun që nga Vittorio Pozzo i Italisë në vitet 1930.