Sport

Kane në ndjekje të rekordeve personale dhe titullit të botës me Anglinë

Harry Kane është në prag të bëhet golashënuesi më i mirë i Anglisë. Por ylli i futbollit me kënaqësi do ta ndërronte atë pikë referimi me mundësinë për ta udhëhequr vendin e tij drejt lavdisë së Kupës të Botës. Kane shkon në çerekfinalen e Anglisë kundër kampiones në fuqi të botës, Francës, të shtunën, me vetëm një gol prapa golashënuesit më të mirë të “Tre Luanëve”, Wayne Rooneyt.

29-vjeçari shënoi për herë të parë në turneun e Katarit në fitoren 3:0 të 1/8 së finales kundër Senegalit, të dielën, duke e çuar numrin e golave të tij për Anglinë në 52. Kane gjithashtu kaloi Gary Linekerin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave tek Anglia në turnetë e mëdhenj me 11 gola.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, u qetësua kur e pa Kanen t'i jepte fund çdo dyshimi për formën e tij.

Pasi fitoi “Këpucën e Artë” në Kupën e Botës 2018 me gjashtë gola në arritjen e Anglisë deri në gjysmëfinale, Kane e di tashmë vlerën e tij të madhe për ekipin. Por pjekuria dhe natyra e tij vetëmohuese kanë qenë gjithashtu përbërës jetikë për suksesin e Anglisë. Ai luan një rol që mund të japë më pak gola, por ndihmon shokët e skuadrës si Phil Foden dhe Bukayo Saka të shkëlqejnë. Southgate vuri në dukje rolin vendimtar të Kanet në ndeshjen ndaj Senegalit pasi sulmuesi i Tottenhamit furnizoi bashkëlojtarët me topa. Ishte pasimi i saktë i Kanet për Jude Bellinghamin që i lejoi adoleshentit të jepte asistimin për golin e parë të Jordan Hendersonit kundër Senegalit.

“Kane po na ndihmon shumë. Ai është një kapiten i vërtetë, i cili më shumë po kujdeset për të asistuar për të tjerët, sesa për të shënuar vetë. Ai po tregohet shumë i rëndësishëm në këtë turne”, pranoi Southgate.

Megjithëse Kane është një figurë mjaft e qetë në fushë, Bukayo Saka zbuloi se kapiteni nuk është i turpshëm për t’i këshilluar të gjithë para ndeshjeve.

“Harry është lider. Në fushë ai jep shembull me lojën e tij dhe është një nga më të zëshmit në dhomën e zhveshjes. Para çdo ndeshjeje ai bën një fjalim për të na nxitur të gjithëve”, tha Saka.

Kane tregoi cilësitë drejtuese në një mënyrë më të ndjeshme këtë javë, kur mblodhi skuadrën për të lehtësuar ankthin e lojtarëve pas një grabitjeje në shtëpinë e Raheem Sterlingut në Angli.

Sterling ka fluturuar për në atdhe për të qenë me familjen e tij dhe në një përpjekje për të mbajtur moralin lart Kane foli me shokët e skuadrës për trajtimin e kërcënimit në rritje të futbollistëve të profilit të lartë. Sterling të enjten i është ribashkuar ekipit, ndërsa të premten ka stërvitur.

Kampanja e Kanet në Kupën e Botës për pak kohë ishte nën kërcënim kur ai kishte nevojë për një skanim për një dëmtim të nyjës së këmbës të pësuar gjatë triumfit 6:2 të Anglisë ndaj Iranit në ndeshjen hapëse të turneut. Por Kane filloi kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Uellsit. Më pas shënoi kundër Senegalit, pavarësisht se mori një goditje të frikshme nga Abdou Diallo në fillim të ndeshjes.

Kane është shfaqur gjithmonë në skenën ndërkombëtare që nga momenti kur shënoi vetëm disa sekonda pas debutimit për Anglinë kundër Lituanisë në vitin 2015. Megjithatë për një fitues të lindur nga natyra, përparimi i Kanes në nivel klubi ishte çuditërisht i komplikuar, pasi ai iu bashkua akademisë së Tottenhamit në vitin 2009. U deshën një sërë periudhash të vështira huazimi përpara se një periudhë transformuese me Millwallin e nivelit të dytë më në fund t’ia jepte atij besimin për të bërë përparimin me Tottenhamin në edicionin 2014/15.

Pavarësisht golave që pasuan, Kane deri më tani nuk ka arritur të fitojë trofe për klubin ose vendin. Në kohën e Kanet, Anglia ka humbur finalen e Kampionatit Evropian, nga Italia vitin e kaluar, dhe një gjysmëfinale të Kupës së Botës kundër Kroacisë në vitin 2018. Ai luajti në humbjen e Tottenhamit në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019 kundër Liverpoolit dhe gjithashtu ka humbur dy herë finalen e Kupës së Ligës Angleze.

Mposhtja e Francës këtë fundjavë do ta afronte Kanen më afër fshirjes së atyre kujtimeve të dhimbshme. Ai synon të bëhet vetëm kapiteni i dytë anglez pas Bobby Moore që fiton Kupën e Botës.