Sport

Kroacia në gjysmëfinale, Livakoviq sërish hero

Kroacia është gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Botës. Kroatët kanë mundur Brazilin me penallti, 4:2. Portieri Dominik Livakoviq ndali një penallti, ndërsa në fund Marquinhos goditi shtyllën.

Livakoviq sërish ishte më meritori për fitoren e Kroacisë. Ai bëri pritje të shumta për ta dërguar ndeshjen në penallti.

Në serinë e penalltive, Livakoviq ndali gjuajtjen e parë të Brazilit, të cilën e bëri Rodrygo. Për Kroacinë nga pika e bardhë nuk dështuan Nikola Vlashiq, Lovro Majer, Luka Modriq e Mislav Orshiq. Pas dështimit të Rodrygos, për Brazilin nga pika e bardhë shënuan Casemiro dhe Pedro. Marquinhos ishte i katërti me radhë, ndërsa ai dërgoi topin në shtypë për festën e madhe të kroatëve.

Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi 0:0, ndërsa më i dalluari ishte Livakoviq. Në fundin e vazhdimit të parë, Neymar konkretizoi me gol një aksion të bukur të Brazilit. Për Neymarin ishte goli i 77-të me përfaqësuese dhe ai ka barazuar rekordin që e mbante legjenda Pele.

Por kroatët nuk u dorëzuan. Golin e barazimit e shënuan në minutën e 117-të, pra pak para fundit. Bruno Petkoviq shënoi, ndërsa topi drejt portës u devijua nga Marquinhos.

Kroacia me penallti kishte kaluar edhe Japoninë në një të tetën e finales, kurse Livakoviq priti tri goditje nga pika e bardhë.

Kroacia ishte në finale të Kupës së Botës katër vjet më parë. Këtij suksesi i është afruar fare pranë edhe në Katar. Brazili llogaritej favoriti më i madh i Botërorit, por dështoi ndaj kroatëve të durueshëm.


Nuk kanë dhënë fitues vazhdimet në ndeshjen Kroacia – Brazili.

Neymar shënoi për 1:0 në të mirë të Brazilit, ndërsa Petkoviq barazoi rezultatin në 1:1 në vazhdimin e dytë. Kroacia me penallti e ka kaluar Japoninë në 1/8 e finales.


Barazon Kroacia

Kroacia ka barazuar rezultatin në ndeshje me Brazilin.

Për 1:1 ka shënuar Bruno Petkoviq në minutën e 117-të.

https://dubz.co/v/w28dm4


Brazili në epërsi

Brazili ka kaluar në epërsi ndaj Kroacisë. Është superylli Neymar që ka shënuar për 1:0 në minutën e 106-të.

Neymar shënoi gol të bukur pas një aksioni model të brazilianëve.


Nuk ka dhënë fitues koha e rregullt në ndeshjen Kroacia – Brazili. Brazilianët kanë dominuar sa i takon rasteve të krijuara, por gola nuk janë shënuar. Brazili ka pasur shtatë goditje në kornizë të portës, por portieri kroat, Dominik Livakoviq ishte i jashtëzakonshëm.

Ndërkohë kroatët kanë krijuar gjashtë raste gjithsej, por asnjë goditje në kornizë të portës. Brazili gjithsej i ka pasur 13 raste.


Livakoviq po mban në lojë Kroacinë

Portieri i Kroacisë, Dominik Livakoviq po shkëlqen në ndeshjen ndaj Brazilit.

Ka kaluar minuta e 80-të, kurse rezultati është 0:0. Livakoviq ka bërë shumë pritje deri më tani.


Pjesa e parë e ndeshjes së parë çerekfinale ndërmjet Kroacisë dhe Brazilit është mbyllur pa gola.

Ky duel po zhvillohet në stadiumin “Education City” në Al Rayyan.

Ivan Perishiq në minutën e 13-të harkoi për Josip Juranoviqin që gjuajti afër shtyllës pingule.

Ndërkohë, pas 20 minutave lojë rrezikoi Vinicius Junior, por gjuajtja e tij u bllokua nga një mbrojtës kroat.

Posedimi i topit në 45 minutat e parë i takoi Brazilit, me 51%.

Fituesi i këtij dueli në gjysmëfinale do të luajë kundër Holandës apo Argjentinës.


Nis ndeshja Kroacia – Brazili

Ka nisur ndeshja e parë çerekfinale e Kupës së Botës mes Kroacisë dhe Brazilit.

Takimi po zhvillohet në stadiumin “Education City”.

Fituesi i kësaj ndeshje në gjysmëfinale luan me fituesin e takimit Holanda – Argjentina.