Spanja humbi ndaj Marokut 3:0 në penallti në 1/8 e finales të Kupës së Botës, të martën, duke mos arritur të kalojë në çerekfinale për herë të tretë radhazi që nga fitimi i titullit të saj të fundit botëror në Afrikën e Jugut më 2010. “La Roja” gjithashtu u eliminua pas penalltive në të njëjtën fazë edhe katër vjet më parë, dhe gjithashtu dështoi nga penalltitë në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të vitit të shkuar.
Kishte shpresa të mëdha për Spanjën përpara Kupës së Botës, pasi doli mirë në “Euro 2020” dhe në Ligën e Kombeve, ku humbi në finale nga Franca. Pritshmëritë u bënë edhe më të larta pas fitores 7:0 ndaj Kosta-Rikës në ndeshjen e saj të parë në Katar, kur skuadra e re e Spanjës riktheu me sukses stilin e posedimit të topit "tiki-taka" që e kishte çuar ekipin në triumfe në të kaluarën.
Por ecuria e Spanjës në një turne të madh përfundoi përsëri me zhgënjim, pasi ajo u përpoq ta kthente posedimin e topit të saj në gola. Pas fitores së madhe kundër Kosta-Rikës, Spanja luajti mirë kundër Gjermanisë, por u mbajt në barazim 1:1 pasi pranoi golin në fund të ndeshjes. Më pas humbi 2:1 ndaj Japonisë kur i duhej një barazim për të fituar grupin e saj. Duke përfunduar e dyta, Spanja me sa duket kishte rënë në një rrugë më të lehtë duke shmangur një përballje me Kroacinë nënkampione të vitit 2018 në 1/8 e finales, si dhe ndeshjet e mundshme me Brazilin dhe Argjentinën më vonë. Në vend të kësaj, ajo u përball me Marokun, i cili ishte një nga surprizat e turneut, por nuk kishte arritur kurrë në tetë të fundit në një kupë botërore. Spanja kontrolloi ndeshjen të martën, por luftoi për të kapërcyer marokenët e organizuar mirë, të cilët përfundimisht mbizotëruan në gjuajtjet nga pika e bardhë, pasi goditja e penalltisë e Pablo Sarabias goditi shtyllën dhe Carlos Solerit e Sergio Busquetsit iu pritën përpjekjet e tyre nga portieri Yassine Bounou.
“Është përgjegjësia ime”, tha trajneri i Spanjës, Luis Enrique, i cili u kishte kërkuar lojtarëve të tij të praktikonin 1000 goditje nga penalltia, ndërsa ishin me klubet e tyre. “Zgjodha tre të parët që do të gjuanin penalltitë”.
Fitorja e vetme e Spanjës në pesë tentativa me penallti në një kupë botërore erdhi kundër Irlandës në 1/8 e finales dhe atë në vitin 2002. Ajo u eliminua nga Koreja e Jugut me penallti në çerekfinalet e atij turneu. Spanja ka fituar vetëm tri nga 11 ndeshjet e fundit të Kupës së Botës që nga viti 2010. Busquets, i vetmi anëtar i mbetur i ekipit fitues i Kupës së Botës të Spanjës, ka të ngjarë të përfundojë karrierën e tij me përfaqësuesen, megjithëse ai ende nuk e ka shpallur zyrtarisht vendimin e tij.
“Tani gjëja e rëndësishme është skuadra dhe jo unë”, tha mesfushori 34-vjeçar i Barcelonës, i cili bëri paraqitjen e tij të 17-të në Kupën e Botës të martën për të barazuar portierin Iker Casillas dhe mbrojtësin Sergio Ramos për më së shumti ndeshje me Spanjën në turne.
E ardhmja ishte gjithashtu e pasigurt për veteranët e tjerë në skuadër, duke përfshirë Jordi Alban dhe Cesar Azpilicuetan. Luis Enrique tha se një nga pendimet e tij në Katar ishte që nuk e kishte përdorur 30-vjeçarin Sarabia më shpesh gjatë turneut. Sarabia hyri si zëvendësues pak para fundit të kohës shtesë “dhe ai krijoi dy raste shënimi menjëherë”, tha Luis Enrique. “Ishte gabimi im që nuk e përdora më shumë. Nuk ishte e drejtë”.
Enrique nuk tha nëse do të vazhdonte si trajner i Spanjës, duke thënë se do të “merrte pak kohë për të pushuar” përpara se të merrte një vendim për të ardhmen e tij së bashku me Federatën spanjolle të futbollit. Perspektiva e Spanjës është ende e ndritshme pasi solli në Katar një skuadër të talentuar që ishte e treta për nga mosha e re në turne. Mes titullarëve ishin 18-vjeçari Gavi dhe 20-vjeçari Pedri, të cilët të dy luajtën mirë pavarësisht eliminimit të ekipit. Gavi shënoi në ndeshjen e parë për t'u bërë golashënuesi më i ri i Kupës së Botës që nga Pele në vitin 1958. Të rinjtë e tjerë që ka të ngjarë të jenë të rregullt me Spanjën janë: Ansu Fati, Alejandro Balde, Yeremy Pino, Ferran Torres, Eric Garcaa dhe Nico Williams. Spanja nuk pritet të luajë përsëri deri në kualifikimet për “Euro 2024” që nisin në mars, kur “La Roja” do të përballet me Norvegjinë, Skocinë, Gjeorgjinë dhe Qipron. Pavarësisht zhgënjimit në Kupën e Botës, skuadra e re e Spanjës është favorite për t'u kualifikuar nga grupi i saj dhe të jetë sërish ndër pretendentët në vitin 2024, kur do të vazhdojë kërkimin e saj për të fituar titullin e parë të madh që nga “Euro 2012”.
“Ne do ta marrim veten dhe do ta përdorim këtë eliminim si një përvojë mësimi”, tha Busquets. “Ne jemi në një dinamikë të mirë, me të rinjtë. Kjo do t'i bëjë ata më të fortë”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.