Sport

Hazardi tërhiqet nga Belgjika

Descriptive Text

Mesfushori Eden Hazard i ka dhënë fund karrierës me Përfaqësuesen e Belgjikës. Pensionimi i Hazardit ka ardhur pak ditë pasi Belgjika u eliminua në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.

Me një fitore, një barazim dhe një humbje, Belgjika përfundoi e treta në Grupin F për t’i dhënë fund aventurës së saj në Botërorin e këtij viti.

Hazard ishte kapiten i Belgjikës, ndërsa nuk tregoi paraqitje të mira në Katar. Ai po largohet nga Belgjika pas 14 vjetësh, ku shënoi 33 gola në 126 paraqitje.

“Një faqe kthehet sot. Faleminderit për dashurinë tuaj, faleminderit për mbështetjen tuaj të pashoq. Faleminderit për gjithë këtë lumturi të përbashkët që nga viti 2008. Kam vendosur t'i jap fund karrierës sime ndërkombëtare. Vazhdimi është gati. Do të më mungosh...”, ka shkruar Hazard në Instagram të mërkurën.

Suksesi më i madh i Hazardit me Belgjikën ishte vendi i tretë në Botërorin e vitit 2018 të mbajtur në Rusi.