Argjentina ka gjetur gradualisht formën në Kupën e Botës, duke u përmirësuar në secilën ndeshje. Por sulmuesi Lautaro Martinez ka shkuar në drejtimin tjetër. Për pjesën më të madhe të katër vjetëve të fundit, lojtari i Interit ka qenë titullar për Argjentinën, zakonisht përkrah Lionel Messit dhe Angel Di Marias në një sulm të frikshëm.
25-vjeçari, i cili ka 21 gola në 44 ndeshje ndërkombëtare, ishte në formacionin bazë për dy ndeshjet e para të Argjentinës në grup në Katar.
Por gjërat janë zhvilluar shpejt për Martinezin, deri në pikën që ai e gjeti veten si objekt shakash në internet pas fitores 2:1 të Argjentinës në 1/8 e finales ndaj Australisë. Nga fundi i lojës, pasi Lautaro u inkuadrua si zëvendësues, shumë tifozë menduan se Messi u përpoq vazhdimisht të vendoste shokun e tij të skuadrës në pozitë të favorshme për të shënuar golin e parë në Kupën e Botës. Pas një vrapimi të shpejtë, Messi ia kaloi topin Lautaros brenda në zonë dhe ai dështoi tërësisht përballë portierit, duke gjuajtur mbi portë.
Mund të kishte qenë shumë ndryshe për Lautaron, i cili dy herë e dërgoi topin në rrjetë kundër Arabisë Saudite në ndeshjen hapëse të Argjentinës në Grupin C. Por, në të dy rastet atij iu mohua goli për shkak të pozitës jashtë loje.
Argjentina më pas u mundua të krijojë ndonjë gjë kundër Meksikës në ndeshjen e radhës, derisa Lautaro u largua nga loja. Pak çaste më vonë, Messi zhbllokoi rezultatin. Për ndeshjen e fundit të grupit kundër Polonisë, Lautaro humbi vendin e titullarit nga i riu Julian Alvarez, i cili ka shpërblyer besimin e trajnerit duke shënuar gol në secilin prej dy ndeshjeve që i filloi.
Pasi zëvendësoi 22-vjeçarin me 20 minuta të mbetur kundër Australisë, Lautaro shpërdoroi tri raste të dukshme për ta mbyllur sfidën. Kjo ka bërë që një sërë shakash të vërshojnë mediat sociale në kurriz të Lautaros. Disa madje e kanë krahasuar atë me bashkatdhetarin Gonzalo Higuain, i cili humbi një shans në finalen e Kupës së Botës 2014 kundër Gjermanisë - të cilën Argjentina e humbi 1:0 - kur doli i vetëm përballë portierit.
Trajneri Lionel Scaloni dhe kapiteni Messi kanë qenë të shpejtë për ta mbrojtur sulmuesin.
“Lautaro është një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Ai është sulmues, ai jeton për golat”, tha Messi.
Messi mund të ketë qenë i vetëdijshëm për këtë, pasi në dukje u përpoq në mënyrë të dëshpëruar ta ngrejë moralin e partnerin e tij, pas goditjes së dobët kundër Australisë.
“Lautaro na ka shpëtuar shumë herë, nuk dua të flas për këto detaje. Kjo do të ishte e padrejtë për Lautaron, i cili na ka dhënë dhe do të vazhdojë të na japë kaq shumë gëzim”, tha Scaloni kur u pyet për dështimet e Lautaros.
Alvarez pritet të ruajë vendin e titullarit edhe kundër Holandës për çerekfinalen e Kupës së Botës të së premtes.
“Është fantastike që Juliani po shënon. Edhe Lautaro do të shënojë, për këtë jam i bindur”, tha Scaloni.
Është histori ndryshe për dy lojtarët në nivel klubesh. Ndërsa Lautaro është titullar i padiskutueshëm tek Interi, Alvarez ka qenë titullar në vetëm tri ndeshje në Premier League me Manchester Cityn, kurse ka shënuar tri herë.
Me Messin që edhe një herë po del të jetë frymëzimi i Argjentinës, tifozët nuk do ta kenë mendjen se kush do të futet në listën e golashënuesve, për sa kohë që skuadra vazhdon të fitojë. Por, kjo po kthehet në një eksperiencë të hidhur për Lautaron dhe në anën tjetër po e formon Alvarezin si sulmuesin e së ardhmes për Argjentinën.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.