Sport

Tifozët shpresojnë për një super gjysmëfinale Brazil-Argjentinë

Rivaliteti - Brazil - Argjentina - Boterori - Katar 2022

Argjentina ka eliminuar Australinë në një të tetën e finales duke rritur gjasat për një gjysmëfinale me rivalin e madh nga Amerika e Jugut, Brazilin.

Menjëherë pas fitores 2:1 të Argjentinës ndaj australianëve, tifozët argjentinas kanë nisur të mendojnë për përballjen e mundshme me Brazilin në gjysmëfinale, një klasike futbolli që nuk është parë në Kupën e Botës për 32 vjet.

Që kjo të ndodhë, Argjentina duhet ta mposhtë Holandën në çerekfinale dhe të llogaritë që “Seleçao” të triumfojë ndaj Koresë së Jugut dhe kundërshtarit që vjen më pas.

Brazili e Argjentina nuk janë takuar në Kupën e Botës që nga viti 1990, por rivaliteti vetëm është rritur që nga atëherë. Ka pasur shumë përballje në garat regjionale.

Mund të jetë një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e Kupës së Botës dhe ndeshja më e madhe Brazil-Argjentinë që është luajtur ndonjëherë.

Pritja 32-vjeçare

Brazili e Argjentina janë takuar katër herë në histori të Kupës së Botës. Bilanci është i përafërt. Brazilianët i kanë dy fitore, Argjentina ka fituar një herë, ndërsa një ndeshje përfundoi baras. Katër ndeshjet u luajtën prej vitit 1974 e deri në vitin 1990.

Në vitin 1974 dhe 1978, dy vendet e çmendura pas futbollit janë takuar në grupet që kanë përcaktuar finalistët. Në ndeshjen e parë Brazili e mposhti Argjentinën, por përfundoi i dyti në grup, prapa Holandës. Katër vjet më vonë, një barazim 0:0 e ndihmoi Argjentinën të kalonte në finale nga grupi ku ishin edhe Peruja dhe Polonia.

Në vitin 1982, Brazili e Argjentina u takuan sërish në të njëjtën fazë, pra në fazën e dytë grupore që nuk zhvillohet më.

Brazili fitoi 3:1 në një prej ndeshjeve më të mëdha të ekipit mitik që përfshinte Zicon dhe Socratesin. Por humbja nga Italia i eliminoi brazilianët nga ai Botëror.

Ballafaqimi i fundit në Kupë të Botës i dy përfaqësueseve më të mëdha jo evropiane ndodhi në Botërorin 1990, që ishte në formatin aktual. Në një të tetën e finales Brazili luajti ndeshje me posedim të madh të topit dhe me shumë shanse për gol. Por Diego Maradona ndryshoi ritmin me një lojë brilante individuale para golit të Claudio Caniggias.

Pas shumë përballjeve, rivaliteti është në pritje që të ngjallet që nga atëherë. Kanë kaluar 32 vjet, ndërsa pritjes mund t’i vijë fundi pas disa ditësh në Katar.

Magjia argjentinase në “Maracana”

Pavarësisht historisë në Kupat e Botës, ka një tjetër komponent që ka pasuruar rivalitetin mes Brazilit dhe Argjentinës – finalja e Copa America në vitin 2021. Argjentina nuk kishte titull zyrtar që nga viti 1993. Dhe pritja mori fund në një ndeshje të madhe, ndaj Brazilit në stadiumin ikonik “Maracana”.

Goli i Angel Di Marias në minutën e 22-të i dha Argjentinës fitoren 1:0.

Triumfi në stadiumin e famshëm brazilian u bë pjesë e muzikës, flamujve dhe lloj-lloj feste nga tifozët e “Albiceleste”.

Vallëzimi i fundit për Messin e Neymarin

Para ngjarjes në Katar, Messi e Neymari kanë folur disa herë që ky mund të jetë Botërori i fundit për ta. Në kërkim për titullin më të madh të mundshëm, dyshja e PSG-së përfaqëson shpresat më të mëdha në të dyja vendet e futbollit.

Përballja mes dy shokëve do të futej në librat e historisë së Kupës së Botës, ashtu si përballja e veçantë e Zicos dhe Maradonës në vitin 1982.

Goli që u “shndërrua” në këngë

Rëndësia e Superclasicos është aq e madhe sa që goli i Caniggias, ndonëse nuk ishte pjesë e një kampanje që përfundoi me titull, është prej më të festuarve në histori të Argjentinës. Goli ndaj Brazilit u bë temë e këngës, teksti i së cilës thotë: “Nuk do ta harrojmë kurrë që Diego ju dribloi, Caniggia ju dënoi dhe ju qani që nga Italia e deri më sot”.

Shfaqja e madhe

Ndonëse nuk fitoi Kupën e Botës, përfaqësuesja e Brazilit e vitit 1982 konsiderohet ende një nga më të mirat që ka luajtur ndonjëherë në turne.

Paraqitja më e madhe e ekipit ishte pikërisht ndaj Argjentinës. Brazili dominoi ndaj rivales së madhe dhe fitoi 3:1 me golat e Zicos, Serginho Chulapas dhe Juniorit.