Sport

Martinez thotë se Belgjika mund ta mbajë kokën lart

Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, ka insistuar se ekipi i tij mund ta mbajë kokën lart përkundër eliminimit në fazën e grupeve nga Kupa e Botës.

Belgjika përfundoi e treta në Grupin F me katër pikë, që nuk mjaftuan për të avancuar në 1/8 e finales.

Në ndeshjen vendimtare të grupit, Belgjika barazoi pa gola kundër Kroacisë, që avancoi në fazën e eliminimit prej pozitës së dytë. Vendi i parë në grup i takoi Marokut, ndërsa Kanadaja u eliminua pa pikë.

“Nuk është lehtë të fitohen ndeshjet në Kupën e Botës. Nuk ishim vetja në ndeshjet e parë, ndërsa në të dytën e merituam humbjen. Ndaj Kroacisë ishim të përgatitur dhe krijuam shumë raste, por nuk shënuam. Nuk mund të pendohemi që u eliminuam. Jemi jashtë Botërorit, por mund të largohemi me kokën lart”, ka thënë Martinez pas ndeshjes me Kroacinë. “Ne donim të avanconim, por kështu e ka Botërori. Në turneun e fundit në i fituam të gjitha ndeshjet në grup, por në fund nuk fituam titullin”.

Martinez po ashtu është pyetur për të ardhmen e tij, por ka thënë se tani nuk është momenti për një gjë të tillë.