Sport

Maroku kërkon kalimin tutje, Kanadaja shpreson të përshëndetet me fitore

Ekipi i tij është në prag të arritjes në fazën eliminatore të Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 1986, ndërsa trajneri i Marokut Walid Regragui e minimizoi rolin e tij.

“Ka trajnerë të tjerë që duan të bëjnë të mendosh se janë magjistarë, ata për mua janë kukulla”, tha Regragui përmes një përkthyesi të mërkurën. “Lojtarët janë ata që e bëjnë trajnerin dhe jo anasjelltas”.

Maroku do të avanconte me një fitore ose një barazim të enjten kundër Kanadasë tashmë të eliminuar dhe gjithashtu mund të arrinte në 1/8 e finales edhe me humbje, por varësisht rezultatit të ndeshjes mes Belgjikës me Kroacinë. Tunizia e hapi Botërorin me barazim 0:0 kundër Kroacisë përpara se të triumfonte ndaj Belgjikës 2:0. Regragui, i cili zëvendësoi Vahid Halilhoxhiqin në gusht, tha se nëse taktikat e tij nuk do të kishin funksionuar kundër Belgjikës, atëherë do të pushtohej nga kritikat në vendin e tij. Maroku do të luante me Spanjën, Gjermaninë, Japoninë ose Kosta-Rikën në fazën e eliminimit. Skuadra e Afrikës së Veriut përparoi në vitin 1986 me barazime 0:0 kundër Polonisë dhe Anglisë, e ndjekur nga një fitore 3:1 ndaj Portugalisë. Gjermania Perëndimore e eliminoi në 1/8 e finales kur e mposhti 1:0, falë golit të Lothar Matthaeusit nga gjuajtja e lirë në minutën e 88-të. Maroku dhe Kanadaja janë takuar një herë më parë, në një miqësore të vitit 2016, të cilën e patën fituar marokenët kurse dy gola pati shënuar Hakim Ziyech. Ziyech, u largua nga Halilhodxhiq, por u kthye në ekip në shtator nën drejtimin e Regraguit pas një mungese 15-mujore.

“Ai është një lojtar i madh dhe shumë i rëndësishëm për ne”, shtoi Regraguit.

Për Kanadanë kjo është hera e parë që po paraqitet në Botëror pas vitit 1986, ku i humbi të tria ndeshjet e fazës së grupeve, nuk shënoi asnjë gol. Në Katar, Kanadaja u mposht minimalisht nga Belgjika (1:0), ndërsa pësoi 4:1 nga Kroacia edhe pse kaloi e para në avantazh. Alphonso Davies shënoi golin e parë të Kanadasë në Kupën e Botës, duke zhbllokuar rezultatin pas 68 sekondash me golin më të shpejtë deri më tani në këtë turne. Edhe pse janë eliminuar, te Kanadaja insistojnë se do të sulmojnë ndaj Marokut. Ata janë të vendosur për ta shënuar fitoren e parë në Botëror, në mënyrë që të kthehen në shtëpi me tri pikë.

“Ne kemi treguar lojëra të mira në këtë Botëror dhe unë jam shumë i kënaqur me ekipin. Ne pas ndeshjes me Marokun do të kthehemi në shtëpi, por për t’u përgatitur për Botërorin e ardhshëm. Kemi marrë një mësim të mirë këtu në Katar dhe do ta përdorim për të ardhmen”, është shprehur trajneri i Kanadasë, John Herdman. “Sigurisht, që synimi është ta fitojmë ndeshjen apo të paktën të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e fundit të grupit. E kemi parasysh se Maroku ka synimet e veta, por ne nuk luajmë për kalkulimet e askujt. Luajmë për veten dhe të ardhmen. Ky ekip përfundimisht ka të ardhme të ndritur”.

Madje Herdman, i cili mori drejtimin e Kanadasë në vitin 2018, ka insistuar se do të jetë në krye të ekipit deri pas Botërorit të vitit 2026, i cili mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.