Sport

Mbrojtja po del në skenë te Brazili sulmues në Katar

Me gjithë fuqinë sulmuese që solli Brazili në Kampionatin Botëror, mbrojtja ka bërë më shumë përshtypje për pesë herë kampionin e botës në Katar. Pas dy ndeshjesh, Brazili nuk ka lejuar ende një tentativë në portë dhe portieri Alisson Becker ka qenë kryesisht spektator. Mesfushori defensiv Casemiro ka qenë pothuajse i përsosur në vijën e parë të mbrojtjes, me qendërmbrojtësit Thiago Silva dhe Marquinhos që po paraqiten në një nivel të lartë që nga fillimi i turneut.

“Ne e kemi mbajtur një paraqitje të mirë në mbrojtje”, tha Silva 38 vjeç, një nga veteranët e Brazilit. “Kjo u jep besim lojtarëve tanë përpara; ata kanë më shumë liri për të sulmuar”.

Brazili do të kërkojë ta ketë këtë formë në ndeshjen e fundit të Grupit G, kundër Kamerunit të premten, kur do të mjaftojë një barazim për t'ia dhënë vendin e parë. Mbrojtja e mirë nga skuadra e trajnerit Tite nuk është diçka e re. Në 78 ndeshjet e Brazilit nën komandën e tij, “Seleçao” pësoi vetëm 27 gola. Ai ka udhëhequr Brazilin në 59 fitore, 14 barazime dhe pesë humbje. Brazili e hapi kampanjën në Kupën e Botës duke mposhtur Serbinë 2:0, me dy gola në pjesën e dytë nga sulmuesi Richarlison, përpara se të triumfojë 1:0 ndaj Zvicrës, me golin e Casemiros në minutën e 83-të. Hera e fundit që Brazili nuk pranoi në fazën e grupeve ishte në vitin 1986, kur luajti në një grup me Spanjën, Algjerinë dhe Irlandën e Veriut në turneun e mbajtur në Meksikë. Të vetmet skuadra të tjera që nuk pranuan gol pas dy ndeshjeve të para në grup në Katar ishin Polonia dhe Maroku. Por, Brazili ishte i vetmi nga tria që shënoi fitore në dy ndeshjet e para. Tite zgjodhi një skuadër me mendje sulmuese për Kupën e Botës duke marrë nëntë sulmues në Katar, por ai humbi yllin më të madh të ekipit, Neymarin që dëmtoi ligamentet e nyjës së këmbës të djathtë në ndeshjen kundër Serbisë.

Brazili luftoi pa Neymarin kundër Zvicrës dhe ishte Casemiro ai që shënoi golin e fitores. Brazili asnjëherë nuk u kërcënua realisht në ndeshjet kundër Serbisë dhe Zvicrës, ku secila pati nga katër tentime, por asnjërën në portë. Brazili e mbajti portën të paprekur pavarësisht se humbi disa prej lojtarëve në repartin e mbrojtjes – Danilo u lëndua në ndeshjen e parë, ndërsa Alex Sandro në të dytën. Trajneri Tite përdori Eder Militaon, i cili zakonisht luan si qendërmbrojtës te Real Madridi, në pozicionin e Danilos kundër Zvicrës dhe me Alex Tellesin zëvendësoi Sandron. Tite mund të përdorë gjithashtu edhe veteranin Dani Alves në pozitën e mbrojtësit të djathtë kundër Kamerunit. Me vendin e tij në 1/8 e finales tashmë të siguruar, Tite pritet të bëjë ndryshime në formacion kundër Kamerunit. Brazili do të përpiqet të fitojë ndeshjen e dhjetë rresht, e cila do të lidhej me serinë e mëparshme të fitoreve me Titen në krye nga viti 2019 deri në vitin 2021.