Sport

Koke thotë se Spanja nuk ia ka frikën askujt, madje as Brazilit

Mesfushori Koke ka thënë se Spanja nuk ia ka frikën askujt, madje as Brazilit. Ai të martën në konferencë për media ka theksuar se kanë respekt të madh ndaj përfaqësueseve rivale, por jo edhe frikë.

“Unë nuk mendoj se kemi frikë nga ndonjë rival. Ne kemi respekt të madh për të gjitha ekipet përfaqësuese. Nuk po mendojmë se me cilin rival mund të përballemi në çerekfinale, sepse së pari mendojmë për Japoninë. Duhet ta fitojmë atë lojë, sepse nëse nuk e fitojmë, atëherë mund të ndodhin shumë gjëra. Pra qëllimi ynë i parë është ta fitojmë ndeshjen kundër Japonisë dhe më pas të shohim për rivalët e ardhshëm. Nëse duhet të përballemi me Brazilin në çerekfinale, llogaris se do të jemi me fat që arrijmë në atë fazë. Do të luajmë sa më mirë që mundemi. Por, e them përsëri se nuk kemi frikë nga askush”, ka thënë Koke.

Spanja do të përballet me Japoninë të enjten, Spanja është në krye të grupit E me katër pikë. Për kalim tutje po lufton edhe Gjermania. Fati i Gjermanisë do të vendoset të enjten kundër Kosta Rikës, e cila mundi Japoninë 1:0 të dielën e shkuar.

Edhe një fitore mund të mos mjaftojë për gjermanët, të cilët humbën ndaj Japonisë në ndeshjen hapëse të grupit E.

Nëse Gjermania dhe Spanja fitojnë, të dyja do të avancojnë. Por, nëse do të ketë barazim në ndeshjen Japoni – Spanjë, Gjermanisë do t’i duhet ta tejkalojë deficitin e goldallimit ndaj Japonisë.

Nëse Japonia fiton, atëherë Gjermania duhet ta kalojë Spanjën me gola.