Sport

Ekuadori e Senegali luajnë ndeshje vendimtare

Enner Valencia i Ekuadorit ne Boterorin ne Katar

Enner Valencia ka shënuar gjashtë golat e fundit të Ekuadorit në Kupën e Botës. Kështu që nuk mund të nënvlerësohet shqetësimi i Ekuadorit pasi ai u largua nga fusha me barelë kundër Holandës.

Ekuadori shpreson që gjunjët e sulmuesit 33-vjeçar të jenë në rregull për një ndeshje vendimtare të grupit kundër Senegalit, të martën nga ora 16:00. Ai ka lënduar gjurin e djathtë kundër Holandës, pasi e kishte ndrydhur gjurin e majtë në ndeshjen e parë kundër Katarit. Trajneri Gustavo Alfaro tha të hënën se Valencia mund të jetë titullar ndaj Senegalit, edhe pse ka gjasa të mëdha të jetë rezervist. Dueli mes Ekuadorit dhe Senegalit i takon Grupit A.

“Ai ka zemër të madhe dhe dëshiron të jetë në çdo betejë me Përfaqësuesen tonë”, tha Alfaro. “Ai dëshiron të jetë atje. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ne do të përpiqemi ta bëjmë gati”.

Kapiteni i Ekuadorit ka tre gola në dy ndeshje në Katar dhe është kyç për shanset e ekipit të tij për të kaluar fazën e grupeve vetëm për herë të dytë. Valencia shënoi tre gola në tri ndeshje në paraqitjen e kaluar të Ekuadorit në Kupën e Botës, në vitin 2014. Por nuk ishte e mjaftueshme për të avancuar nga grupi në turneun e mbajtur në Brazil.

Këtë herë Ekuadori ka një epërsi të lehtë për të avancuar pasi i nevojitet fitorja apo barazimi. Ndërkohë, Senegalit i mjafton vetëm fitorja për të kaluar tutje. Ekuadori është i dyti në grup me katër pikë, sa i ka edhe Holanda që është lidere. Senegali është i treti me tri pikë. Një fitore e Katarit ndaj Holandës do të bënte të mundur ndryshime të tjera në Grupin A, por ky rezultat shihet si i pamundur duke pasur parasysh se Katari tashmë është eliminuar.

Një qëndrim i zgjatur në Kupën e Botës do të ngarkonte më shumë gjunjët e Valencias, por ai do të duronte dhimbjen për të luajtur në fazën eliminatore. Ekuadori mundi Katarin 2:0 në ndeshjen hapëse të turneut dhe më pas barazoi 1:1 me Holandën e favorizuar. Të dy paraqitjet ishin mbresëlënëse, por mund të harrohen nëse Ekuadori nuk e vulos kualifikimin të martën.

“Ka një kufi të hollë midis kualifikimit dhe moskualifikimit”, tha Alfaro. “Nëse nuk kualifikohemi, njerëzit do të thonë se nuk e kemi bërë punën tonë dhe nëse e bëjmë, njerëzit do të jenë euforikë. Shpresoj se do të kalojmë sepse e meritojmë”.

Ndërsa Ekuadori ka shpresë për gjendjen fizike të Valencias, Senegali luajti tashmë dy ndeshje pa lojtarin më të mirë. Lëndimi i Sadio Manes vetëm dy javë para Kupës së Botës i detyroi kampionët afrikanë të rikonfiguronin vijën e sulmit dhe të ndryshonin planin e lojës. Pas humbjes nga Holanda 2:0, Senegali reagoi në ndeshjen e dytë duke triumfuar 3:1 ndaj Katarit për të mbajtur gjallë shanset për kalim tutje. Senegali, i renditur në vendin e 18-të në botë dhe i freskët nga fitimi i titullit të Kupës së Afrikës në shkurt, normalisht do të ishte favoriti i qartë ndaj Ekuadorit pa përvojë. Por ky botëror deri më tani ka dëshmuar se nuk ka favoritë. Këtë e dëshmoi humbja e Argjentinës dhe Belgjikës nga Arabia Saudite, përkatësisht Maroku.

Senegali ka presionin e shtuar të kupës së botës “Rusia 2018”, ku nuk arriti të kualifikohet në 1/8 e finales.

“Ne po përballemi me presionin dhe stresin. Për mua është një stres i mirë”, tha trajneri i Senegalit, Aliou Cisse. “Ne nuk do ta teprojmë. Nuk ka dy mënyra për këtë, ne duhet ta fitojmë ndeshjen për të avancuar tutje”.