Sport

Federata amerikane hoqi stemën nga flamuri i Iranit në Kupën e Botës

Flamuri - Stema

Federata e Futbollit e SHBA-së ka shfaqur flamurin kombëtar të Iranit pa stemën e Republikës Islamike. Ky flamur u shfaq në mediat sociale, ndërsa Federata tha se lëvizja mbështeti protestuesit në Iran. Kjo u bë para ndeshjes mes dy vendeve që luhet të martën në kuadër të Kupës së Botës.

Qeveria e Iranit ka reaguar duke akuzuar SHBA-në se ka hequr emrin e Zotit nga flamuri i saj kombëtar. Vendimi i Federatës amerikane është tjetër stuhi politike në Kupën e parë të Botës që po mbahet në Lindjen e Mesme. Nikoqiri, Katari, shpresonte se do të kursehej nga polemikat jashtë fushës.

SHBA-ja po përgatitet për përballjen me Iranin në ndeshjen vendimtare të Kupës së Botës. Ka armiqësi prej dekadash mes dy vendeve, ndërsa Irani po sfidohet nga protestat e vazhdueshme.

Federata amerikane ka thënë përmes një komunikate se ka vendosur të heqë dorë nga flamuri zyrtar, në rrjetet sociale, për të treguar mbështetje për gratë në Iran që luftojnë për të drejtat themelore të njeriut.

Në llogarinë e Federatës amerikane në Twitter u shfaq një banderolë me flamurin iranian që kishte vetëm ngjyrën e gjelbër, të bardhë dhe të kuqe. I njëjti postim ishte edhe në Facebook dhe në Instagram.

Flamuri normal u kthye të dielën në Twitter, ndërsa postimet në dy rrjetet e tjera sociale u hoqën.

“Ne donim të tregonim mbështetjen tonë për gratë në Iran me grafikën e paraqitur për 24 orë”, ka thënë Federata amerikane.

Nga Irani kanë thënë se veprimi i amerikanëve është në kundërshtim me rregulloret e FIFA-s. Sipas një zyrtari, amerikanët kështu duan të kenë ndikim në paraqitjen e Iranit në ndeshjen e së martës.