Sport

Kosovari 36-vjeçar synon të realizojë ëndrrën olimpike

Çdo ditë, menaxheri i ndërtesave Besnik Sokoli, mund të jetë në dhomën e punës duke rregulluar nxehjen apo diçka tjetër, por mund të jetë duke punuar edhe për karrierën e tij në skitari.

Sokoli, një refugjat lufte dhe mbikëqyrës në pesë blloqe të apartamenteve në lagjen Dumbo, mes urave Brooklyn e Manhattan, i është futur garës së tij të parë serioze të skijimit gjashtë muaj më parë, kur ishte 35-vjeçar. Tash ai është duke bërë një tentim për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2018, shkruan “The Wall Street Journal”, transmeton “Koha Ditore”.

Pas çdo ditë punë, Sokoli lë anash radiolidhjen e mjetet tjera të punës dhe vë maskën për të sfiduar sasinë e ulët të oksigjenit në lartësi mbidetare dhe këtë e bën përmes simulatorit të skijimit të dorës së dytë. Ai kalon 45 minuta duke u endur në simulator herë në njërën anë e herë tjetrën, duke imituar lëshimet në disiplinën e sllallomit.

“Nuk bëhet më tepër Brooklyn se kaq”, thotë Sokoli.

Aftësia natyrale-sportive e Sokolit dhe shpirti garues po befason edhe skitarët e klasit botërorë, që nuk përjashtojnë mundësinë që ai të sigurojë një vend për të garuar për vendlindjen e tij - Kosovën, në PyeongChang të Koresë së Jugut në Lojërat Dimërore që do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm. Ai përfundoi pranë kreut në serinë e garave në bregun Lindor këtë dimër dhe aktualisht është duke garuar në gara ndërkombëtare në Afrikë të Jugut, Kili dhe Argjentinë, për t'u munduar të sigurojë normën kualifikuese olimpike.

“Është pak absurde, por shumë intriguese. Nëse dikush mund t'ia dal, atëherë kam nisur të besoj se ai do të jetë Niku”, thotë trajneri i skijimit në Universitetin e Connecticutit, Bruce Diamond, që përfundoi prapa Sokolit në një garë këtë dimër.

Ky synim i Sokolit kthen mendjen tek olimpistët tjerë të papritur: si skuadra e Xhamajkës në bobsled që kishte pushtuar imagjinatën e publikut në Lojërat Dimërore “Calgary 1988” dhe britanikun Michael “Eddie the Eagle” Edwards, që garoi në kërcim me ski në Calgary atë vit, kryesisht pasi Britania nuk kishte garues tjetër në këtë disiplinë. Sokoli është i lindur në Kosovë në vitin 1981, kur atëbotë vendi ishte pjesë e Jugosllavisë. Ai skijoi si fëmijë, por jo seriozisht. Nganjëherë bënte skijim në bar me ski të plastikës që babai i tij ia bënte nga arkat e birrës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.