Sport

“Perfeksionisti” De Bruyne pranon se i duhet të përshtatet në Kupën e Botës

Duke luajtur për Belgjikën në Kupën e Botës, Kevin De Bruyne ndihet shumë më ndryshe se sa kur luan për Manchester Cityn në Premier League.

“E di që duhet të përshtatem me shokët e mi të skuadrës”, tha De Bruyne të premten.

Ndërsa belgët po luftonin për një fitore 1:0 ndaj Kanadasë të mërkurën, mesfushori vazhdimisht humbi durimin. Ai ngriti duart lart me neveri ndaj shokëve të tij në fushë dhe u përfshi në një diskutim të nxehtë me mbrojtësin Toby Alderweireld dhe trajnerin Roberto Martinez gjatë një pushimi në lojë.

Pas ndeshjes, De Bruyne u tall me vendimin për ta votuar atë si lojtarin e ndeshjes. Ai nuk ishte në humor për ta festuar fitoren, e as trofeun e lojtarit të ndeshjes. Madje, tha se nuk e ka merituar trofeun, por ndoshta është votuar për shkak të famës që e ka si lojtar.

“Ndonjëherë jam shumë i shqetësuar sepse jam një perfeksionist”, tha De Bruyne, i cili konsiderohet nga shumë njerëz si mesfushori më i mirë në botë dhe u votua lojtari më i mirë i Premier Leagues për dy sezonet e fundit. “Unë nuk mund ta bëj këtë punë vetëm. Do të më duhen të gjithë të tjerët. Më duhet të rris nivelin e djemve të tjerë nëse duam të bëjmë një turne të suksesshëm”.

Kur De Bruyne luan për Cityn, kampionin e Anglisë, ai ka Erling Haalandin si objektiv përpara në sulm, ndërsa Bernardo Silvan dhe Rodrin si kolegë të talentuar teknikisht në mesfushë. E ka edhe Ruben Diasin e Aymeric Laporten në mbrojtje. Niveli i cilësisë përreth tij thjesht nuk është i njëjtë te Belgjika, edhe nëse ekipi renditet në vendin e dytë në botë dhe ka emra si Eden Hazard e Romelu Lukaku.

Problemi është se Lukaku aktualisht po rikuperohet nga lëndimi dhe Hazard mezi ka luajtur për Real Madridin këtë sezon, duke qenë titullar në vetëm dy ndeshje. Kundër Kanadasë kishte një plogështi të përgjithshme për ekipin me përvojë të Belgjikës që De Bruyne e ka vënë re tashmë.

“Ndoshta ka kaluar një kohë që nuk po luajmë në nivelin tonë më të mirë”, tha ai nga kampi stërvitor i Belgjikës në Al Rayyan. “Dhe unë besoj se skuadra ka nivelin për të bërë më mirë. Ka potencial në këtë ekip. Është koha për ta treguar”.

De Bruyne shpreson që potenciali do të dalë në pah kundër Marokut të dielën – një ndeshje ku mund të aktivizohet edhe Lukaku, pasi është kthyer në stërvitje pas një dëmtimi në kofshën e majtë. Michy Batshuayi mund të ketë shënuar golin e fitores kundër Kanadasë, por ai nuk ofron të njëjtin kërcënim të gjithanshëm në sulm si Lukaku, golashënuesi më i mirë i Belgjikës me 68 gola në 102 ndeshje.

“Natyrisht që do të jetë një nxitje për ne kur Lukaku të luajë. Ai është një sulmues që shënon gola, kthehet në mbrojtje dhe ndihmon gjithë ekipin”, tha De Bruyne. “Unë e di që ai nuk ka luajtur për një kohë të gjatë, por është i nevojshëm në këtë turne. Mbrojtësit do të kenë më shumë frikë prej tij. Na jep opsione që ndoshta për momentin nuk i kemi”.