Sport

Tunizia llogarit në mbështetjen e fuqishme të tifozëve për ndeshjen ndaj Australisë

Thirrjet “Tunis, Tunis” pritet të jehojnë në stadiumin “Al Janoub”, ndërsa Tunizia llogarit në mbështetje të madhe, “si në shtëpi”, kur përballet me Australinë në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar të shtunën.

Një nga katër skuadrat arabe në Kupën e parë të Botës në Lindjen e Mesme, Tunizia, kishte pa dyshim grupin më të zhurmshëm të tifozëve në xhiron e parë të fazës së grupeve. Tunizia mbajti në barazim 0:0 Danimarkën, gjysmëfinalisten e Kampionatit Evropian. Dhe mbështetja nuk është vetëm nga tunizianët. Tifozë që valëvisnin flamujt palestinezë kanë ndjekur Tunizinë, e cila ka përkrahës edhe nga Egjipti e Algjeria.

Ndeshja Tunizi – Australi luhet prej orës 11:00.

“Ne e dimë vlerën e tifozëve tanë tunizianë në Doha dhe diasporës tuniziane”, tha trajneri Jalel Kadri. “Kjo na jep një nxitje të fortë morale”.

Të premten Kadri diskutoi se si paraqitja e ekipit të tij “bashkoi të gjithë tunizianët”.

“Ne kemi parë gëzimin në rrugët tuniziane. Kemi parë sa krenarë janë që i përkasin këtij vendi të vogël sipas botës, por një vend shumë i madh në sytë tanë”, tha trajneri Kadri. “Në ndeshjen e mëparshme nuk ishim në gjendje të shënonim, por e dimë se çdo tunizian ndihej krenar. Dhe ky është qëllimi kryesor ndaj Australisë, të shënojmë dhe të fitojmë. Kjo është ëndrra jonë e vogël”.

Mbrojtësi i majtë i Australisë, Aziz Behich, kujtoi se si australianët mundën Perunë me penallti përpara një turme armiqësore në Katar, në qershor, për t'u kualifikuar në Botëror.

“Ne kemi luajtur ndeshje me atmosferë të zjarrtë dhe kundër nesh. Jemi gati ta dëshmojmë këtë edhe ndaj Tunizisë”, tha ai.

Të dyja skuadrat do të kenë pritshmëri më të mëdha, pasi Australia u mund 4:1 nga kampionia në fuqi, Franca, në ndeshjen hapëse të Grupit D. Të katër golat e Francës erdhën nga sulmet nga krahët, me tre prej tyre që u shënuan me kokë.

“Besoj se kemi mësuar nga gabimet e ndeshjes së parë, të cilat nuk do t’i përsërisim edhe në të dytën”, tha mesfushori i Australisë, Jackson Irvine. “Duhet patjetër të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të reflektojmë pas humbjes së thellë nga Franca. Është momenti i fundit për të marrë një fitore dhe për të mbetur në garë për të kaluar tutje”.

Franca kryeson grupin me tri pikë. Tunizia dhe Danimarka kanë nga një pikë dhe Australia është e fundit pa pikë. Tunizia po kërkon të avancojë nga faza e grupeve për herë të parë në paraqitjen e gjashtë në Kupën e Botës, ndërsa Australia ka arritur në 1/8 e finales vetëm një herë, në vitin 2006.

“Presioni më i madh është tek Australia, pasi kjo ndeshje për atë është sikur një finale. Ne jemi gati të luajmë fort sikurse të martën ndaj Danimarkës. Ndeshjes do t’i qasemi me shpirtin e njëjtë ekipor pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë diçka. Duam t’i gëzojmë tifozët tanë me fitore”, shtoi mbrojtësi i Tunizisë, Mohamed Drager.

Shpirti ekipor dhe angazhimi i Tunizisë është mishëruar nga mesfushori luftarak Aissa Laidouni, i cili u shpall lojtari i ndeshjes kundër Danimarkës në paraqitjen e tij të parë në karrierë në Kupën e Botës. Edhe ndaj Australisë, shpresat e Tunizisë do të varen nga Laidouni në fushë, si dhe nga përkrahja e fuqishme në tribuna.