Sport

Portieri Ochoa dëshiron më shumë në Botërorin e pestë

Me një përqafim pas lojës, Robert Lewandowski shfaqi respekt aty ku duhej. Guillermo Ochoa e kishte bërë sërish në Kupën e Botës. Portieri i jashtëzakonshëm i Meksikës ndali Lewandowskin, një nga sulmuesit më të mirë të futbollit. Ai priti penalltinë e polakut në pjesën e dytë për t’ia siguruar Meksikës një pikë, përkatësisht barazimin pa gola ndaj Polonisë. Një humbje në këtë ndeshje do t'i kishte dhënë një goditje të rëndë tentimit të Meksikës për të avancuar për herën e tetë rresht nga faza e grupeve në Kupën e Botës.

Ochoa, 37 vjeç, po bën paraqitjen e pestë radhazi në turneun më të madh të futbollit, duke iu bashkuar një grupi të veçantë që përfshin Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Por nuk ishte hera e parë që portieri i Meksikës u tregua i madh në Kupën e Botës.

Në vitin 2014, portieri i njohur gjerësisht me pseudonimin “Memo”, bëri gjashtë pritje në barazimin pa gola me Brazilin, i cili ishte ndër favoritët si mikpritës i turneut. Ai ua mohoi golat nga afërsia Neymarit e Thiago Silvas dhe më pas e quajti atë paraqitje si “ndeshja e jetës së tij”.

Në Rusi, katër vjet më parë, Ochoa pati nëntë pritje në fitoren 1:0 të Meksikës ndaj kampiones në fuqi, Gjermanisë, në ndeshjen e parë të grupit.

“Kur kemi nevojë për Memon, ai shfaqet gjithmonë”, tha mbrojtësi i Meksikës, Jorge Sanchez.

Katari mund të jetë Kupa e Botës finale e Ochoas dhe ai dëshiron me çdo kusht të kalojë fazën e 1/8 së finales dhe të luajë në një “quinto partido” të pakapshme - një ndeshje e pestë. Është diçka që i ka shpëtuar Meksikës që nga viti 1986, kur e organizoi turneun.

“Ka pasur lojtarë të mëdhenj në histori që nuk kanë pasur kurrë një shans për të luajtur në Kupë Bote, kështu që për mua të kem mundësinë të luaj në pesë prej tyre është e mrekullueshme, e mahnitshme”, tha Ochoa të enjten. “Por, sigurisht, unë dua që ky Botëror të jetë shumë ndryshe dhe të jetë më i miri i të gjitha kohërave për Meksikën”.

Pas ndeshjes së të martës ndaj Polonisë u përhapën shumë fotografi në mediat sociale që përshkruanin Ochoan si një mur me tulla, Superman, Neo në filmat Matrix dhe madje edhe si Jezusi.

Por Ochoa, i cili luan për Club American në Liga MX të Meksikës, më pas vuri në dukje përgatitjen, jo heroizmin.

“Ne punojmë për këtë dy javë, ose ndoshta një muaj, me trajnerin e portierëve Gustavo Pinero. Por është gjithmonë e vështirë kur shikon videon e penalltive të Lewandowskit. Është e komplikuar sepse shikon më shumë se 15 deri në 20 penallti, kështu që kurrë nuk e di se cilën anë të zgjedhësh”, tha Ochoa. “Në fund jam i lumtur që e prita penalltinë. Ai është një sulmues i madh”.

Ochoa e filloi karrierën te Club America në moshën 18-vjeçare dhe luajti atje për shtatë vjet përpara se të paraqitej në Evropë me ekipe në Francë, Spanjë dhe Belgjikë. Ai u rikthye te Club America në vitin 2019. Ndërsa ndeshja hapëse e Meksikës përfundoi baras, pritja e penalltisë nga Ochoa ka ndihmuar shumë - të paktën për një moment - për të qetësuar kritikët që kanë vënë në dyshim formën e ekipit dhe kanë kritikuar trajnerin Gerardo Martino për zgjedhjet e tij.

Meksika përfundoi e dyta në kualifikimet CONCACAF-it, pas Kanadasë dhe përpara Shteteve të Bashkuara. Të shtunën në stadiumin “Lusail”, Meksika përballet me Leo Messin dhe Argjentinën, që papritur u mposhtën 2:1 nga Arabisë Saudite në ndeshjen hapëse.

“Ne kemi një kundërshtar të vështirë në ndeshjen e ardhshme, por Meksika është gjithashtu një kundërshtar i vështirë”, tha Ochoa. “Kemi punuar vërtet shumë. Ne e kemi përgatitur veten”.