Sport

Portugalia nuk lejon befasi, fiton ndaj Ganës

Portugalia, ndonëse me vështirësi, fitoi përballë Ganës në ndeshjen e parë të Grupit H të Botërorit “Katari 2022”.

Portugezët të udhëhequr nga Cristiano Ronaldo, të enjten fituan përballë ganezëve, 3:2.

Të gjitha golat u shënuan në pjesën e dytë. Cristiano Ronaldo fitoi penallti dhe realizoi vetë nga pika e bardhë në minutën e 65-të. Ronaldo ka arritur shifrën e 118 golave për Portugalinë, ndërsa tetë i ka në Kampionate Botërore. Shifrat i barazoi Andre Ayew në minutën e 73-të. Por pas pesë minutash lojë, Portugalia ktheu epërsinë me golin e bukur të Joao Felixit. Në minutën e 80-të, zëvendësuesi Rafael Leao ngriti epërsinë në 3:1. Për 3:2 dhe rezultatin final u përkujdes sulmuesi Osman Bukari, i cili shënoi në minutën e 89-të me kokë nga afërsia dhe festoi në stilin e Cristiano Ronaldos.

Portugalia prinë në Grupin H me tri pikë. Nga një pikë kanë Uruguai dhe Koreja e Jugut, kurse Gana mbetet e fundit pa pikë.


Futbollisti ganez shënon dhe feston si Ronaldo

Osman Bukari ka ngushtuar epërsinë e Portugalisë.

Sulmuesi i Ganës shënoi me kokë nga afërsia në minutën e 89-të, ndërsa festoi në stilin e Cristiano Ronaldos.


Portugalia shënon edhe një herë 

Bruno Fernandes ishte protagonist sërish me asistim.

Fernandes në minutën e 80-të asistoi për zëvendësuesin dhe futbollistin e Milanit, Rafael Leao, i cili pa e ndalur topin fare, gjuajti me të parën dhe mposhti portierin e Ganës për 3:1.

Aksionin e golit e nisi Cristiano Ronaldo.


Portugalia kthen epërsinë  

Festa e Ganës nuk ka zgjatur shumë në duelin përballë Portugalisë.

Portugalia ka kthyer epërsinë në minutën e 78-të.

Bruno Fernandes pasoi bukur për futbollistin e Atletico Madridit, i cili i vetëm përballë portierit kundërshtar, shënoi për mrekulli për 2:1.


Gana nuk dorëzohet, barazon rezultatin

Andre Ayew ka shënuar golin e barazimit për Ganën në duelin përballë Portugalisë, në ndeshjen e tyre të parë në Kupën e Botës në Katar.

Kapiteni Ayew shënoi nga afërsia në minutën e 73-të.


Ronaldo shënon në Botëror, arrin në shifrën e 118 golave për Portugalinë

Cristiano Ronaldo është ende shumë i rëndësishëm për Portugalinë, me gjithë telashet në nivel klubesh.

Të enjten mbrëma, Ronaldo siguroi penallti dhe më pas e konkretizoi atë për epërsinë 1:0 të Portugalisë ndaj Ganës. Ai shënoi për 1:0 në minutën e 65-të, ndërsa festoi në mënyrë tipike.

Për Ronaldon është goli i 118-të ndërkombëtar.

Në Botërore i ka tetë gola.


Portugalia e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo nuk ka arritur të shënojë gol gjatë pjesës së parë ndaj Ganës, përkundër dominimit dhe rasteve që i pati.

Pas 45 minutave të para të këtij dueli që i takon Grupit H, rezultati është 0:0.

Portugalia ka qenë më aktive dhe ishte më dominuese ndaj Ganës, që ishte e fokusuar për ta markuar Ronaldon dhe tentonte përmes kundërsulmeve të rrezikonte portën portugeze.

Ronaldo pati dy raste në pjesën e parë por nuk arriti të shënonte. Herën e parë, ai nuk arriti ta kontrollojë mirë topin para zonës, ndërsa në të dytën, gjuajti me kokë pranë pingules.

Në fakt, sa herë që Ronaldo kishte kontakt me topin në fushë, turma elektrizohej në tribuna duke brohoritur për yllin portugez.


Ka nisur përballja në mes të Portugalisë dhe Ganës, e vlefshme për Grupin H në Kupën e Botës “Katari 2022”.