Sport

Van Gaali synon lamtumirën e gëzueshme në Botëror

Kampionati Botëror i këtij viti nuk ishte pjesë e planeve të Louis Van Gaalit.

Në fakt, ishte një shqetësim i madh. Ai ishte në pension kur Federata e Futbollit të Holandës, i kërkoi vitin e shkuar ta merrte drejtimin e përfaqësueses holandeze për herë të tretë. Ai ishte pak ditë larg ditëlindjes së 70-të dhe po kurohej nga kanceri i prostatës.

Megjithatë, Van Gaal e pranoi ofertën dhe mori përsipër drejtimin e Holandës.

“Sepse, thjesht, askush tjetër nuk ishte në dispozicion në atë kohë”, tha trajneri holandez kur u pyet se për çfarë arsye pranoi të kthehej në krye të Holandës.

Aktualisht, ai është trajneri më i vjetër në Botërorin e Katarit, ndërsa Holanda e startoi turneun me fitore. Të hënën, Holanda triumfoi ndaj Senegalit 2:0 në kuadër të Grupit A.