Sport

Franca përballet me “betejën e mesfushës” ndaj Australisë

Franca Boteror 2022

Edhe pa të lënduarin Karim Benzema, kampionia në fuqi e botës, Franca, ka mjaft fuqi sulmuese. Shumica e skuadrave do të donin të kishin Kylian Mbappen, Antoine Griezmannin ose Olivier Giroudin në vijën sulmuese, e lëre më të tre bashkë. Ata kanë shënuar 119 gola dhe pritet t’i prijnë Francës në botërorin “Katari 2022”.

Por Franca nuk e ka të njëjtën forcë në mesfushë dhe ky është reparti ku Australia mund ta shqetësojë të martën në ndeshjen e Grupit D, që nis në orën 20:00.

Franca luftoi për të mposhtur Australinë 2:1 kur u takuan në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës katër vjet më parë, dhe atë me një mesfushë të plotë. Trajnerit të Francës, Didier Deschamps i mungojnë të lënduarit N'Golo Kante dhe Paul Pogba - motori i tij nga viti 2018. Pogba ka luajtur 91 herë për Francën dhe një nga 11 golat e tij erdhën në fitoren 4:2 ndaj Kroacisë në finalen e vitit 2018. Ndërsa forma e Pogbas ka qenë me ulje e ngritje që atëherë, forma e Kantes rrallëherë ka rënë dhe ai është ndoshta një humbje edhe më e madhe për ekipin.

Deschamps për ndeshjen ndaj Australisë nuk mund të llogaritë as në Edouardo Camavingan, i cili u lëndua në stërvitjen e fundit. Kështu që Deschamps përballet me Australinë me një mesfushë të rinovuar, ku lojtari më me përvojë është Adrien Rabiot - bashkëlojtari i Pogbas te Juventusi. 27-vjeçari Rabiot më në fund ndihet i gatshëm të shfaqet si lideri i ri i mesfushës së Francës.

“Kur kam luajtur në ekipet franceze të të rinjve, kam qenë shpesh më me përvojë se shokët e mi. Tani e gjej veten në një pozicion të ngjashëm”, tha ai. “Ndiej se jam në gjendje të ndihmoj të tjerët, të udhëheq me shembull. Më pëlqen të jem në këtë pozicion”.

Kjo është një kthesë për Rabiotin, i cili katër vjet më parë kërkoi të hiqej nga lista e lojtarëve rezervë për Kupën e Botës 2018. Ai u largua për më shumë se dy vjet nga Deschamps, i cili e quajti vendimin e tij “një gabim të madh”. Tani Rabiot ka të ngjarë të rreshtohet në të majtë të treshes së mesfushës në stadiumin “Al Janoub”, me 22-vjeçarin Aurelien Tchouameni në qendër dhe 23-vjeçarin Matteo Guendouzi në të djathtë. Tchouameni ka bërë përshtypje për Francën, por ka luajtur vetëm 14 herë dhe asnjëherë në një turne të madh. Guendouzi ka gjashtë paraqitje deri më tani.

“Është përgjegjësi e madhe që unë jam gati ta marr përsipër”, tha Rabiot. “Më mirë të jem në këtë pozicion sesa të mos jem në këtë skuadër”.

Një lojtar imponues fizikisht, Rabiot, është vrapues i fuqishëm me teknikë të shkëlqyer në mbajtjen e topit, diçka që mund të shqetësojë mbrojtjen e Australisë. Real Madridi pagoi 100 milionë euro për të nënshkruar me Tchouamenin, i cili është i saktë në pasimet e shkurtra dhe i fortë fizikisht.

Australia ka mesfushë solide, të udhëhequr nga Aaron Mooy me përvojë, që luajti dy sezone në Premier League me Brightonin. Mathew Leckie ishte lojtari më i mirë i Australisë në Kupën e Botës 2014 dhe përbën një kërcënim nga krahu. 31-vjeçari Leckie është golashënuesi më i mirë i Australisë me 13 gola. Leckie dhe Mooy ishin titullarë kundër Francës katër vjet më parë.

“Ne nuk duam të përjetojmë të njëjtën ndjenjë që patëm pas asaj ndeshjeje. Edhe pse fituam, nuk luajtëm mjaft mirë”, tha të hënën portieri i Francës, Hugo Lloris. “Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj lojës së tyre që është shumë e mirë në tranzicion”.

Planet e trajnerit të Australisë, Graham Arnold për këtë ndeshje u goditën kur sulmuesi i krahut, Martin Boyle u tërhoq nga Botërori të dielën me një dëmtim në gju. Boyle ka pesë gola në 19 paraqitje për Australinë.

“Ne të gjithë ndiejmë për Martinin dhe kjo është një goditje mizore për të”, tha Arnold. “Ai ka qenë një pjesë integrale e rrugëtimit tonë për në Katar”.