Sport

E frymëzuar nga Erikseni, Danimarka synon start të fuqishëm në Katar

Selektori i Danimarkës, Kasper Hjulmand, ka thënë se “ëndrra është të fitojnë diçka”. Por ai ka pranuar se danezët nuk janë favoritë në Kupën e Botës në Katar.

Paraqitja më e mirë e Danimarkës ishte në vitin 1998, kur arriti në çerekfinale. Danimarka në Katar është në grupin D me kampionen aktuale, Francën, si dhe me Australinë dhe Tunizinë. Ndeshjen e parë Danimarka e ka të martën prej orës 14:00 me Tunizinë.

“Ky grup lojtarësh ka kualitetin për të fituar çdo gjë. A jemi favoritë? Jo”, ka thënë Hjulmand.

“Por ne mund ta mposhtim secilin kundërshtar në një ditë të mirë dhe kemi shumë vetëbesim. Mënyra më të mirë për të fituar gjithçka është të synohet shumë dhe të shkohet në turne për ta fituar atë. Ne kemi ndjenjë të mirë. Jemi në pozitë të mirë dhe gati për të sulmuar”, ka shtuar selektori danez.

Danimarka arriti deri në gjysmëfinale në Euro 2020, ku pësoi nga Anglia. Në fillim të Evropianit, mesfushori Christian Eriksen pësoi arrest kardiak. Eriksen u kthye në futboll dhe sërish është lojtari kryesor i Danimarkës.

“Ai është lojtar fantastik e person edhe më i mirë. Është kënaqësi të punosh me Christianin”, ka thënë Hjulmand.

Kapiteni i Danimarkës, Simon Kjaer, ka thënë se ekipi është mirënjohës që ka Eriksenin në Katar.

“Si lojtar, ai është njëri prej më të mirëve që kam parë, sa i takon kualitetit dhe dashurisë për lojën. Ai ndoshta e çmon lojën më shumë se ne. Ne jemi të lumtur që e kemi Christianin në anën tonë. Secilën minutë që e luan është plus për Danimarkën”, ka thënë Kjaer.

Danimarka vlerësohet favorite ndaj Tunizisë. Kapiteni i Tunizisë, Youssef Mskani, ka munguar në Botërorin e kaluar për shkak të një lëndimi. Ai ka pasur telashe me lëndime edhe gjatë fazës përgatitore për Katar. Por pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Danimarkës.

Kjo do të jetë përballja e parë e Danimarkës dhe Tunizisë në Kupën e Botës. Këto dy përfaqësuese janë takuar vetëm një herë, në një miqësore në Japoni, 20 vjet më parë. Danimarka kishte fituar 2:1.

Danimarka është e pamposhtur ndaj përfaqësueseve afrikanë në Kupën e Botës. Ka dy fitore e dy barazime. Ndërkohë Tunizia nuk ka fituar ndaj përfaqësueseve evropiane në Kupën e Botës. Ka tri barazime e shtatë humbje.

Për Danimarkën është paraqitja e gjashtë në Kupën e Botës. Vetëm për herë të dytë danezët janë kualifikuar në dy Botërorë rresht.

Tunizia paraqitet në Botërorin e gjashtë. Por kjo përfaqësuese asnjëherë nuk ka kaluar fazën e grupeve. Tunizia mburret që ishte përfaqësuesja e parë afrikane që shënoi fitore në Kupën e Botës. E kishte mposhtur Meksikën, 3:1, në vitin 1978.

Tunizia ka pranuar 25 gola në 15 ndeshjet e deritashme në Kupën e Botës. Vetëm në një prej tyre nuk kishte pranuar gol. Ishte barazimi pa gola me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1978.