Sport

Pas shumë polemikave e kritikave, sot nis Botërori i futbollit në Katar

Katar 2022 - fishekzjarret

Pas 12 vjetësh pyetje, kritika dhe hamendje, Botërori i futbollit në Katar më në fund do të nisë të dielën.

Periudha përgatitore për këtë Botëror, që është i pari që do të mbahet në një shtet në Lindje të Mesme, ka mbetur në hije të një sërë polemikash, shkruan BBC.

Por, FIFA u ka kërkuar 32 përfaqësueseve pjesëmarrëse që “të përqendrohen në futboll”.

Katari e hap Botërorin me ndeshjen kundër Ekuadorit. Ndeshja do të nisë në ora 17:00 dhe do të luhet në stadiumin “Al Bayt”.

Katari si nikoqir është kualifikuar drejtpërdrejt.

Të hënën do të luhen ndeshjet mes Anglisë dhe Iranit, Senegalit - Holandës dhe Uellsit e SHBA-së.

Katari do të mbahet në mend si një prej Botërorëve më të përfolur dhe më kundërthënës në histori.

Katari kishte fituar në vitin 2010 garën për ta organizuar ngjarjen e madhe, duke mposhtur kandidaturat e Koresë së Jugut, Japonisë, Australisë dhe SHBA-së.

Mirëpo, ka pasur akuza për korrupsion të zgjeruar në procesin e përzgjedhjes së organizatorit. Katari ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Në shkurt të vitit 2021, “The Guardian”, kishte njoftuar se afro 6500 punonjës migrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi e Shri Lanka, kanë vdekur në Katar duke punuar në ndërtimin e infrastrukturës për organizim të Botërorit.

Ky numër ka dalë nga shifrat që kanë dalë nga ambasadat e shteteve përkatëse në Katar.

Mirëpo, Katari ka mohuar këto shifra. Ka thënë se jo të gjitha vdekjet janë të lidhura me punën në projektet e lidhura me Botëror. Qeveria e Katarit ka thënë se shifrat e saj tregojnë 37 vdekje në mesin e punonjësve që kanë punuar në ndërtimin e stadiumeve për Botëror mes vitit 2014 dhe 2020, e vetëm tri prej tyre ishin “të lidhura me punë”.

Mirëpo, Organizata Botëror e Punonjësve (ILO) ka thënë se janë ulur këto shifra.

Po ashtu ka pasur frikë se si do të trajtohen tifozët LGBT në Katar, një vend strikt mysliman, ku homoseksualiteti është i ndaluar.

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, para disa ditëve tha se ka qenë “gabim” që Katarit t’i jepet organizimi i Botërorit 2022.

Të shtunën presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka akuzuar Perëndimin për “hipokrizi” në raportimin e tij për të drejtat e njeriut në Katar.

Infantino foli gati një orë duke e mbrojtur Katarin dhe Botërorin.

Temperaturat në verë në Katar arrijnë deri 50 gradë Celsius, ndërsa për këtë arsye turneu është zhvendosur në nëntor, kur temperaturat janë 32 gradë Celsius gjatë ditës e deri 22 gradë Celsius në mbrëmje.

Kjo nënkupton se ligat evropiane është dashur të pushojnë në mesin e stinorit.

E një goditje tjetër erdhi dy ditë para fillimit të Botërorit, ku organizatorët thanë se tifozët nuk do të jenë në gjendje të blejnë apo konsumojnë alkool brenda apo në zonën e tetë stadiumeve organizatore.

Me 29 ditë (nga 20 nëntori deri 18 dhjetor), Botërori 2022 në Katar do të jetë më i shkurti që nga “Argjentina 1978”.

Kjo nënkupton se organizatorët është dashur të akomodojnë deri katër ndeshje në ditë gjatë fazës së grupeve.

Ceremonia hapëse nis në ora 15:30 të dielën, ndërsa ndeshja hapëse Katar - Ekuador në ora 17:00.