Sport

Saka gati të shkëlqejë në Kupën e Botës, pas sulmeve raciste ndaj tij

Bukayo Saka ka lënë prapa abuzimin racist që e përjetoi në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar, tha të premten bashkëlojtari i tij tek Anglia, portieri Aaron Ramsdale.

Sulmuesi i ri i Arsenalit u vu në shënjestër në mediat sociale pasi humbi një penallti ndaj Përfaqësueses së Italisë në finalen e “Euro 2020”. Viktima të këtyre sulmeve raciste krahas Sakas ishin edhe dyshja e Manchester Unitedit, Marcus Rashford e Jadon Sancho.

Saka ishte vetëm 19 vjeç në atë kohë dhe mbeti dukshëm i tronditur nga përvoja para tifozëve anglezë në stadiumin “Wembley” të Londrës. Mirëpo, ai është rikuperuar plotësisht nga ajo tronditje për të luajtur rol kyç në ringjalljen e Arsenalit, e cila e ka parë klubin londinez të krijojë një epërsi prej pesë pikësh në krye të Ligës Premier këtë edicion.

Portieri Ramsdale, i cili gjithashtu luan për Arsenalin, e ka parë nga afër se si është rikuperuar nga përvoja dhe sa është rritur si lojtar Saka. Ai beson se Saka do të jetë një nga futbollistët më të spikatur në Kupën e Botës. Saka ka gjasa të jetë titullar në Botërorin e Katarit, pasi përzgjedhësi Gareth Southgate ka besim të madh në sulmuesin e talentuar.

21-vjeçari këtë edicion ka shënuar pesë gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 20 paraqitje për Arsenalin.

“Nuk ka dyshim për këtë. Jashtë fushës dhe në të, Saka tani është një person më i kompletuar”, tha portieri Ramsdale. “Po përpiqem të gjej fjalët e duhura për të përshkruar se si ai e ka trajtuar çështjen e abuzimeve raciste, por mund të them se e kaloi me lehtësi. Është një djalë i mrekullueshëm. Ai ka kohë për të gjithë, punon shumë gjatë stërvitjeve dhe është maksimalisht i motivuar. Duket se kritikat vetëm e kanë motivuar për të shkëlqyer në Botëror”.

Saka ishte një nga talentet më të suksesshme të Anglisë dhe tani është pjesë e ekipit të parë. Ai tek Anglia debutoi në tetor të vitit 2020 dhe ka shënuar katër gola në 20 paraqitje.

Ramsdale tha se shoku i tij i skuadrës gjithashtu ka përfituar nga marrja e shumë përgjegjësive në Arsenal. Edhe trajneri Mikel Arteta i beson shumë.

“Mos harroni se ai kishte presionin e të gjithë klubit vitin e kaluar dhe e ka përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Saka është njëri prej lojtarëve më të ndritur jo vetëm të Arsenalit, por edhe Anglisë. Kam besim se Saka do të na ndihmojë shumë këtu në Katar”, u shpreh Ramsdale nga baza stërvitore e Anglisë në Doha. “Ky turne është skena e duhur që Saka të dëshmoj se tashmë e ka harruar abuzimin që e përjetoi pas finales së Evropianit”.

Përfaqësuesja e Anglisë bën pjesë në Grupin B të Kupës së Botës dhe do të përballet me Iranin, SHBA-në e Uellsin.