Sport

Ronaldo i kënaqur me gjeneratën e re të lojtarëve të Portugalisë

Cristiano Ronaldo di shumë gjëra për Kupën e Botës. Ai ka luajtur në katër edicione dhe është gati të arrijë në turneun e pestë, rekord, këtë muaj në Katar.

Ronaldo e di kur sheh diçka premtuese dhe beson se këtë herë ka arsye për t'u ndier optimist për shanset e një skuadre të talentuar të Portugalisë, që kombinon sasinë e duhur të përvojës dhe rinisë, ndërsa përpiqet të fitojë titullin e parë në Kupën e Botës.

“Skuadra për këtë Botëror është një përzierje e shkëlqyer e lojtarëve me përvojë dhe yjeve të rinj në rritje dhe shpresoj se ne mund t'i tregojmë botës se çfarë është e aftë të shfaqë kjo skuadër e Portugalisë në nivelin më të lartë botëror”, tha Ronaldo, përpara lansimit të koleksionit “NFT” me gjigantin e këmbimit të kriptomonedhave “Binance”.

Koleksioni do të jetë në dispozicion prej të premtes, pak para fillimit të Kupës së Botës dhe çmimi i ofertës për disa nga koleksionet që lidhen me yllin e futbollit do të fillojë me 10,000 dollarë. NFT do të shfaqë shtatë statuja të animuara që përshkruajnë Ronaldon nga momentet ikonike të jetës së tij, duke filluar nga golat me gërshërë deri në fëmijërinë në Portugali. Ronaldo tërhoqi vëmendjen sa herë që luante Portugalia, por këtë herë ai do të hyjë në Kupën e Botës duke ndarë një pjesë të vëmendjes me një grup të talentuar lojtarësh që përfshijnë Bernardo Silvan, Bruno Fernandesin, Joao Felixin dhe Rafael Leaon.

“Kam qenë i emocionuar kur pashë këtë brez lojtarësh të lulëzojë”, tha Ronaldo, 37-vjeçar. “Është e vështirë të krahasosh një brez me një tjetër. Të gjithë ata që luajnë për Portugalinë, qoftë në të kaluarën apo sot, kanë kapërcyer kaq shumë për të arritur në nivelin më të lartë.”

Lojtari i vetëm më i vjetër se Ronaldo në skuadrën e Portugalisë është qendërmbrojtësi veteran Pepe, i cili do të luajë në Botërorin e tij të katërt. Ronaldo, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin ndërkombëtar me 117 gola, ndihmoi Portugalinë të fitonte Kampionatin Evropian në vitin 2016 dhe edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve në vitin 2019. Por atij ende i mungon çmimi më i madh i futbollit. Rezultati më i mirë i Portugalisë në Botëror me Ronaldon ishte në vitin 2006 në Gjermani, kur arriti në gjysmëfinale. Portugalia nuk e kaloi 1/8 e finales në Kupën e Botës 2018 në Rusi.

Portugalia do ta luajë ndeshjen hapëse në Kupën e Botës kundër Ganës më 24 nëntor. Uruguai dhe Koreja e Jugut janë gjithashtu në Grupin H.

“Sigurisht që në Katar shkojmë me synimin për të fituar dhe personalisht besoj se kemi ekip për ta arritur këtë sukses”, pranoi Ronaldo. “Por, pastaj aty janë edhe një numër i madh i top-ekipeve që përbëhen nga lojtarët e klasit botëror. Kështu që ne duhet të qëndrojnë të fokusuar dhe të dalim të japim më të mirën nga vetja. Nëse angazhohemi atëherë suksesi nuk do të mungojë”.

Ronaldo përjetoi një dështim në nivel klubi për herë të parë në karrierën e tij këtë sezon, duke mos marrë aq shumë minuta sa pritej me fanellën e Manchester Unitedit. Ai ka hedhur poshtë mundësinë që ky të jetë turneu i fundit me Portugalinë. Tha se futbolli do të jetë mirë pasi ai dhe 35-vjeçari Lionel Messi – i cili gjithashtu mund të bëjë paraqitjen e fundit në Kupën e Botës me Argjentinën – të tërhiqen nga skena ndërkombëtare.

“Ka pasur gjithmonë dhe do të ketë gjithmonë yje në rritje në nivelin më të lartë”, tha Ronaldo. “Nuk kam asnjë dyshim se Kupa e Botës do të zbulojë gjeneratën e ardhshme të talenteve të gatshme për të ndryshuar lojën”.

Ronaldo ka shkaktuar polemika të mëdha kur ditë më parë në një intervistë e kritikoi haptazi Manchester Unitedin. Portugezi shtoi se nuk ka respekt për trajnerin Erik ten Hag për shkak të sjelljeve që ka treguar ndaj tij. Pas kësaj interviste Ronaldo i është bashkuar Portugalisë në përgatitjet për turneun e Katarit.