Sport

Yakin vlerëson Jasharin, Shaqirin dhe Xhakën

Descriptive Text

Basel, 11 nëntor - Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka thënë se Ardon Jashari dhe Fabian Rieder e kanë merituar të jenë pjesë e ekipit për Kupën e Botës në Katar. Ai ka thënë se të dy kanë pasur paraqitje të mira me klubet e tyre. 20-vjeçari Jashari është pjesë e skuadrës së Luzernit. Yakin, të mërkurën e ka publikuar listën e lojtarëve për turneun që nis më 20 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor.

“Ata kanë fituar vendin me paraqitjet e tyre”, ka thënë Yakin në konferencë për media. Ai ka zbuluar se të dy ishin të emocionuar pas telefonatës që kanë pranuar. “Në fillim ishin të qetë në telefon dhe më pas pati brohoritje”, ka theksuar Yakin.

Ardon Jashari po luan mirë te FC Luzerni dhe është shpërblyer për paraqitjet e tij me ftesë në Përfaqësuesen e Zvicrës në futboll.

Ardon Jashari, që është vetëm 20-vjeçar, tashmë po shkëlqen në fushë me nivel të jashtëzakonshëm të sigurisë. Në fillim të vitit ai ende po luante për ekipin U21 të Luzernit dhe pak njerëz e kanë njohur. Për gjashtë muaj Jashari është bërë i rregullt në ekipin e trajnerit Mario Frick. Ai fitoi besimin e trajnerit dhe stabilizoi veten si lojtar i rregullt e madje edhe si kapiten. Pa dyshim që Jashari është lojtar i rëndësishëm i Luzernit në ndërtimin e aksioneve, por edhe në lojën defansive. Në 13 paraqitje në Superligë ka kontribuar me katër asistime. Ai ka debutuar për ekipin “A” të Zvicrës në fitoren 2:1 ndaj Republikës Çeke në shtator, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Pjesë e Zvicrës për Botëror janë edhe kapiteni Granit Xhaka dhe zëvendës-kapiteni, Xherdan Shaqiri. Për Shaqirin është pjesëmarrja e gjashtë në Kupën e Botës.

Selektori Yakin u është përgjigjur edhe pyetjeve për Shaqirin dhe Xhakën. Për Shaqirin thotë se është i rëndësishëm te Zvicra.

“Ka ende ditë të rëndësishme në stërvitje dhe më pas do t’i bëhet një test. Ai e di situatën. Është e rëndësishme për të që ai të jetë shëndosh. Ai nuk ishte gjithmonë i tillë në të kaluarën. Por, nëse Shaqiri është në formë, ai duhet të luajë nga fillimi. Ai e ka këtë mundësi. Dhe ai gjithashtu mund të jetë shumë i rëndësishëm për ne për sa i përket vrapimit, gjë që dëshmoi së fundmi kundër Spanjës”, është shprehur Yakin.

Yakinit i është marrë edhe një mendim për deklaratat e Xhakës që ka thënë se Zvicra mund të bëhet kampione bote.

“Ne kemi potencial për të shkuar larg. Shumë kombe tjera gjithashtu duan të bëhen kampione bote. Duam të kalojmë fillimisht fazën e grupeve e më pas ta kalojmë ndeshje pas ndeshje. Ne treguam se mund të fitojmë ndeshjet nokaut. Duhet pak fgat, zgjuarsi nga ana e lojtarëve të caktuar dhe më pas vendos forma e ditës. Jam i lumtur që lojtarë si Granit Xhaka dhe Manuel Akanji kanë pritshmëri të mëdha. Unë nuk po i ndaloj ata”, ka thënë Yakin.

Zvicra është në grupin G së bashku me Brazilin, Serbinë dhe Kamerunin. Me këtë të fundit do të përballet në ndeshjen e parë. Ndeshja do të luhet më 24 nëntor. Pas Botërorit, Zvicra paraqitet më pas edhe në kualifikimet për Evropianin e vitit 2024. Në grup e ka edhe Kosovën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën. Ndeshjet e para luhen në mars të vitit të ardhshëm.