Sport

Grupi H: Gana me lojtarë nga Evropa synon suksesin në Botëror

Në një pikë të ulët pas një paraqitjeje të turpshme në Kupën e Afrikës, Gana ka kërkuar jashtë shtetit për të rindërtuar ekipin për Kupën e Botës në Katar. Përforcimet kanë ardhur nga Gjermania, Anglia dhe Spanja. Trajneri i ri, Otto Addo, i cili ka lindur dhe ka luajtur në Gjermani, e përdori shembullin e tij për të bindur ish-lojtarët e Përfaqësueses U21 të Gjermanisë, Ransford-Yeboah Koenigsdoerffer dhe Stephan Ambrosius që të kalonin te Gana.

Mbrojtësi i Brightonit, Tariq Lamptey, tani është lojtar i Ganës, pasi përfaqësoi Anglinë në nivelin e të rinjve. Sulmuesi i Athletic Bilbaos, Inaki Williams, i cili bëri një paraqitje për Spanjën në vitin 2016, është gjithashtu pjesë e skuadrës në zhvillim të trajnerit Addo.

Por, pyetja e madhe është nëse Gana ka pasur kohë t'i bashkojë pjesët e reja përpara Botërorit, në të cilin ndeshjen e parë e luan kundër Portugalisë. Gana do të përballet edhe me Korenë e Jugut dhe Uruguain. Ganezët janë autsajderë në Grupin H dhe pak janë ata që parashikojnë arritjen deri në çerekfinale, për të përsëritur suksesin që e patën në Botërorin e vitit 2010.

Poshtërimi në Kupën e Afrikës

Viti i Kupës Botërore filloi me një paraqitje zhgënjyese të Ganës në Kupën e Afrikës. Kampionia e katërfishtë u eliminua në fazën e grupeve me një humbje nga Komorosi, vendi i vogël nga ishulli që po luante në kampionatin e parë të madh. Paraqitja më e keqe e Ganës ndonjëherë në Kupën e Afrikës i “zhyti” tifozët në dëshpërim dhe çoi në një ndryshim të madh. Trajneri Milovan Rajevac u shkarkua pas një periudhe katërmujore - e dyta e tij me Ganën - dhe Addos iu dha detyra për të udhëhequr rimëkëmbjen e një ekipi krejtësisht të ri. Ai menjëherë kërkoi të forconte skuadrën duke i bindur lojtarët me trashëgimi ganeze që të “vinin në shtëpi”. Formacioni i tij në Kupën e Botës premton të jetë krejt ndryshe nga ai që dështoi keq në Kupën e Afrikës.

Përforcimet dhe hakmarrja

Bindja e Williamsit për të luajtur për Ganën ishte një fitore e madhe, megjithëse do të çojë në disa javë të ngarkuara për familjen Williams gjatë Kupës së Botës, me vëllain më të vogël të Inakit, Nico, që ka të ngjarë të jetë në skuadrën e Spanjës.

Inaki Williams dhe Lamptey bënë debutimin e tyre për “Yjet e Zi” në humbjen 3:0 ndaj Brazilit në shtator. Williams ka rifreskuar një sulm te Gana që është mbështetur shumë te vëllezërit Ayew, Andre dhe Jordan, në vitet e fundit. Të dy duket se po i afrohen fundit të karrierës ndërkombëtare dhe ka të ngjarë të shkojnë për në Kupën e fundit të Botës në Katar. Pos Williamsit, Addo mund të aktivizojë edhe dy sulmues të rinj shumë premtues në Kupën e Botës: 19-vjeçarin Felix Afena-Gyan dhe 18-vjeçarin Abdul Fatawu Issahaku, megjithëse mund të jetë shumë herët për të pritur që ata të ndihmojnë Ganën të avancojë përtej fazës së grupeve.

Mesfushori i Arsenalit, Thomas Partey ishte ai që shkëlqeu për Ganën në Kupën e Afrikës dhe është boshti rreth të cilit luan skuadra.

Ndeshja e tretë në grup kundër Uruguait do të ketë një avantazh. Ganezët ende nuk e kanë falur Luis Suarezin për lojën me dorë të qëllimshme në momentet e fundit të kohës shtesë në çerekfinale të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut në vitin 2010. Suarez ndaloi një gol të sigurt, i cili do ta bënte Ganën skuadrën e parë afrikane që arrinte në gjysmëfinale të Kupës së Botës .

Lojtarët e Ganës kanë thënë se hakmarrja nuk do të jetë motivimi i tyre kryesor kur të takohen më 2 dhjetor, por mundësia për të korrigjuar atë që ndodhi në Johannesburg 12 vjet më parë, padyshim që është ende në mendjen e tyre – veçanërisht nëse shohin Suarezin duke luajtur për Uruguain.